Merr fund epoka e Daniel Craig, ‘James Bond’ tashmë mban emrin e Tom Hardy-t

Tom Hardy do të jetë Agjenti i ri 007. Sipas aludimeve të fundit, 43-vjeçari do të zërë vendin e Daniel Craig në filmin e ardhshëm të ‘James Bond’.

Hardy raportohet të ketë marrë pjesë në audicion në qershor për rolin protagonist dhe sigurisht, nuk mund të mos e kalonte me sukses. Një lëvizje e tillë flitej prej kohësh nga mediat e huaja, por Craig i theu pritshmëritë e publikut, kur nisi xhirimet e “No Time to Die”. Ishte ky filmi i pestë dhe i fundit i sagës “007” për britanikun. Nuk ka ende një deklaratë publike lidhur me lajmet për Tom Hardy-n, megjithatë pritet që gjithçka të konfirmohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Për shkak të pandemisë, planet për xhirimet janë shtyrë, ndërsa sipas çdo parashikimi fundviti i 2021-shit do të sjellë filmin e ri të “007” me Hardy-n në rolin e agjentit më të famshëm në historinë e kinematografisë. Një tjetër aludim që qarkullon së fundmi online është se filmi i ri i James Bond do të jetë nën drejtimin e Christopher Nolan. Lidhur me këtë lajm, Hardy është shprehur: “Kjo do të ishte vërtetë fantastike!” Epo, bashkëpunimi i dyshes në shumë filma dëshmon edhe më shumë suportin që aktori ka për Nolan (dhe e anasjellta).

Mbetet të presim… /News31

Burimi: DailyMail