“Më kërcënuan të mos filmoj! Donaldi u gjakos, një polic goditi me shpullë Astritin”/ Ergys Mërtiri denoncon efektivët: Ja çfarë i kërkova shefit të Komisariatit

Sociologu, e njëherazi aktivisti Ergys Mërtiri ka rrëfyer sot episodet e dhunës së efektivëve të Policisë ndaj Astrit Seranajt dhe Donald Martinit gjatë protestës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Ai tregon përplasjen me efektivët, ndërsa tregon për “News 24”: “Mu kthye me kërcënim dhe më ka shtyrë. Reagova: Ç’është kjo sjellje?! Nxora telefonin sepse e pashe që s’hantë pykë gjuha normale.

Më kanë kërcënuar: mos filmo se do të marrim edhe ty! Do kesh probleme! Në atë moment vijnë dy anëtarë të tjerë të Aleancës që filluan të filmojnë. Ishte një lloj kafshërie në mes të rrugës. Policët shanin me lloj lloj fjalori policesk. Ne filmonim dhe kërkonim ‘mos ia kap krahun se e ka të lënduar’.

Policët kanë reaguar, njëri goditi, u përpoqa t’i filmoja numrin, ai fshihej. Në një moment Donaldin e godasin në duar, ja hedhin telefonin në tokë. Ia marrin telefonin, marrin edhe telefonin tim, dhe duke bërtitur na marrin në makinë dhe na dërgojnë në Komisariatin nr. 1. Brenda makinës i thoshim a mund ta dimë ça shkelje kemi bërë që jemi këtu. Donaldit i binte telefoni dhe u thoshte që t’ua jepnin telefonin.

Shkojmë në komisariat, nuk kisha as çantën as telefonin. Në momentin që hyra gjej një grumbull policësh që ishin mbi Donaldin dhe aty e kanë goditur. Mbas kësaj Donaldi u gjakos. U shtanga. Kishte gjak më mjekër dhe syrin të nxirë. Një tjetër polic hap krahun me sa i ha dora dhe godet me shpullë në fytyrë Astrit Seranaj. Mua nuk më prekën”.

Ai tregon se pasi ngjarja u bë mediatike e telefonoi shefi i Komisariatit, i cili i kërkoi ndjesë dhe i kërkoi qetësi, ndërsa Mërtiri i kërkoi lirimin e dy aktivistëve dhe marrjen e masave ndaj dhunuesve.

“Unë dola shumë shpejt se ishte bërë lajm. Një polic më tha a ka mundësi të flasësh me shefin e Komisariatit, i cili më kërkoi ndjesë. Ishte vënë në siklet nga kjo ngjarje dhe më kërkoi të jem i qetë. I thash kam dy problem që duhet t’i zgjidhësh: Personat që janë kapur duhet të dalin dhe të merren masa ndaj atyre që kanë ushtruar dhunë. Tha patjetër ne do ndjekim të gjitha procedurat”, shtoi ai.

Sjellim në vëmendje që gjatë protestës u shoqëruan në komisariat aktivistët Astrit Seranaj, Donald Martini, Gentian Hasani, dhe Ergys Mërtiri.