La burrin dhe vajzën, por i dashuri e çoi prostitutë në Gjermani

Një 33 vjeçare ka sjellë historinë e saj në emisionin “Me Zemër të Hapur”. Ajo ka treguar se si ka përfunduar prostitutë në Gjermani pas nisjes së një historie dashurie.

Familja e saj, burri dhe vajza, kujtojnë se ajo është me pushime, ndërsa e reja me inicialet A.M bën apel për ndihmë për t’u rikthyer pranë njerëzve të saj.

Ajo tregoi më tej se si u njoh me personin që tani është kthyer në tutorin dhe dhunuesin e saj. “U njoha me të në ‘Facebook’, vjet shkuam në Greqi dhe atje punoja si punonjëse seksi. Unë mund të marr lekë sa për një kafe, asgjë tjetër, gjithë lekët i merr ai. Në Greqi kemi qëndruar 7 muaj, edhe atje klientët i gjente ai bashkë me shokët e tij.
Pastaj më nisi në shtëpinë time. Familja ime nuk dinte asgjë, heshta për hir të fëmijës tim. Ai mu betua se do rinisnim dhe një herë. Unë isha e martuar në Shqipëri, bashkëshortin e kam njohur me mblesëri. Ishim familje e varfër, prindërit e bënë për hir të ekonomisë. I dashuri më mashtroi dhe më mori në Gjermani”, deklaroi gruaja.

Në një lidhje ‘skype’ ajo ngre akuza të rënda për personin që e shfrytëzon dhe dhunën shtazarake dhe kërkon ndihmë urgjente për t’u kthyer në Shqipëri.

“Më rrihte, më përplaste. Më ka vendosur edhe këpucën në fyt. Kemi qenë ne Greqi bashkë para se të shkonim në Gjermani. Më mashtroi, kur ka lekë sillet mirë, kur nuk ka më thotë mua që duhet të punoj unë të siguroj lekët. Nëse nuk dal në rrugë ai më rreh. Ndonjëherë i siguroj lekët, ndonjëherë nuk i siguroj. Dje luajti bixhoz, më kërkonte lekë të tjera. Me thotë do shkosh këtu do punosh këtu. Ai përmes telefonit me gjen klientë së bashku me shokët e tij”, tha 33-vjeçarja.

Ajo thotë se nuk njeh njeri në Gjermani dhe kërkon ndihmë sa më shpejt qoftë edhe duke e orientuar për ndihmë.
“Ju lutem më ndihmoni sa më shpejt, unë nuk kam asnjë shoqe këtu, asnjë të njohur, gjuhën nuk e di, as rrugët asgjë. Nuk kam si të kërkoj ndihmë këtu se s’di si të flas. Edhe sot në mëngjes më ka dhunuar, para 3-4 ditësh më nxiu komplet. Janë të mbyllura edhe banka edhe kisha, në bankë s’më lejon njeri të futem. Tani më duhet të largohem sepse tutori im po më merr në këto momente në telefon. Më pyet në telefon më thotë ‘Ku je’. I thashë që po pi kafe dua të qetësohem. Unë dua të rikthehem tek familja ime që sot. Vetëm 100 euro kam me vete, 70 euro këtu bën vetëm hoteli s’kam ku të shkoj”, tregoi ajo./Gazeta Liberale