“Kumbari i fundit”, ish-bosi i mafies siciliane në gjendje të rëndë shëndetësore

Ish-bosi i mafies siciliane Matteo Messina Denaro është transferuar nga burgu në spital, raportojnë mediat italiane. Njëri prej avokatëve të tij ka deklaruar se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dhe ka nevojë për kujdes urgjent mjekësor.

Messina Denaro 61 vjeç vuante nga kanceri kur u arrestua në janar në Palermo pas 30 vitesh në arrati, raporton Reuters. Ai u transferua nën masa të rrepta sigurie në spitalin San Salvatore në qytetin L’Aquila në Italinë qendrore, pranë burgut ku po vuan dënimin, raporton Ansa.

Për tre dekada me radhë, Denaro i kishte shpëtuar dënimit me burg për krimet e shumta që ka kryer, përfshirë masakrat e viteve ’92 dhe ’93. Ai tani po vuan burgimin e përjetshëm për të shlyer çmimin e krimeve të kryera.

Ai ishte operuar për kancer në zorrën e trashë në vitet 2020 dhe 2022, përpara se të arrestohej. Gjithashtu në fund të qershorit, Drejtoria Italiane e Burgjeve e lejoi atë të linte qelinë për t’iu nënshtruar një tjetër ndërhyrjeje kirurgjike.

Shtypi italian e cilëson Matteo Messina Denaro si “kumbari i fundit” i Cosa Nostra-s./ abcnews.al