Këngëtarja tregon si ia doli në “X Factor” pa mbështetjen e së ëmës: Mami më thoshte ik lësho lopët, e gënjeva dhe…

Këngëtarja Xheisara Frisku, e cila u bë e njohur nga kompeticioni “X Factor”, ka rrëfyer dje në emisionin e pasdites, “Rudina”, historinë se si u bë pjesë e konkursit të muzikës, që në ato kohëra ishte shumë i famshëm dhe i pëlqyer nga të rinjtë.

Xheisara ka treguar se ka qenë vetë ajo që ka këmbëngulur dhe i ka shkuar ëndrrës deri në fund, edhe pse njerëzit pranë saj ishin shumë skeptikë.

Ajo ka treguar se e ëma nuk e ka përkrahur në fillim, sepse nuk besonte te talenti i saj. Prandaj, pa dijeninë e askujt, sapo mori vesh për audicionet, ajo mori furgonin, mbërriti në Tiranë dhe shkoi direkt në televizionin “Klan”.

“Unë vija nga Burreli dhe merrja pjesë në ‘X Factor’. Kam qenë 15 vjeçe. Kur shikoja ‘X Factor’, i thosha mamit se një ditë do jem unë atje dhe do të fitoj. Dhe mami më thoshte: ‘Ti do fitosh?! Ti ik lësho lopët atje në fshat, s’je ti për të dalë në televizor’,”- tha ajo, teksa kujtonte fillimet.

“Mami nuk besonte që unë vërtet dija të këndoja, sepse thoshte: ‘Nga do dalësh ti me talent?’ Ne jetonim në qytet, por shkonim çdo fundjavë në fshatin e babait dhe mami thoshte: ‘Ti mund të këndosh kur të lëshosh lopët.’

Pastaj një ditë të bukur unë pashë që po bëheshin audicionet e ‘X Factor’ dhe i them mamit që më duheshin 10 mijë lekë për një projekt në shkollë. Ma jep mami 10 mijë lekëshin, paguaj furgonin, vij në Tiranë, hipi në autobus, vij në Klan, marr pjesë, fitoj. Më thonë që duhet të vish 4 ditë të tjera. Të katërta herët me 10 mijë lekë borxh.

Ndërsa një ditë të bukur isha në divan, e dija se kur do dilja dhe po shikoja emisionin. Dal unë dhe mami që po shikonte televizorin, më shikon mua dhe më thotë: ‘Ku je ti aty?!’ I thashë: ‘Eh dola një ditë dhe lëshova lopët.’ Që prej asaj dite mami nuk më pengoi kurrë më”,- përfundoi Xheisara.

Me pak fjalë, të mos ishte për këmbënguljen e saj, këngëtarja nuk do t’ia kishte dalë të realizonte ëndrrën e saj.