Kate Middleton feston 40-vjetorin me 3 foto fantastike dhe domethënëse

40-vjetori është gjithmonë një periudhë për pak nostalgji dhe reflektim dhe Kate Middleton, dukesha e Cambridge-it, nuk bëri përjashtim.

Tre fotografi të dukeshës janë publikuar për të shënuar ditëlindjen e saj sot. Portretet, të realizuara nga fotografi Paolo Roversi, e shfaqin atë të veshur me fustane Alexander McQueen.

Fotot do të shfaqen në tri zona të ndryshme ku ka jetuar dukesha – Berkshire, St. Andrews dhe Anglesey. Më pas, do të vendosen në koleksionin e përhershëm të Galerisë Kombëtare të Portreteve, raporton BBC.

Të gjitha vendodhjet ku do të shfaqen fotografitë kanë një domethënie të veçantë për Kate. Berkshire është vendi i fëmijërisë dhe ku ajo u rrit. St. Andrews është vendi ku shkoi në universitet dhe filloi marrëdhënien me princin William. Anglesey është vendi ku çifti jetoi pak para dhe në fillim të martesës.

Duket se vendodhjet nuk janë zgjedhje mbretërore, por personale të dukeshës që lidhen me fëmijërinë dhe rrugëtimin e saj drejt familjes mbretërore.

40-vjetori shënon gjithashtu fillimin e një dekade të rëndësishme për Kate Middleton, teksa ajo vazhdon detyrat mbretërore dhe njëkohësisht përgatitet për t’u bërë mbretëreshë.

Ajo është “gjithnjë e më mbresëlënëse me kalimin e kohës”, tha për People një burim i afërt me familjen mbretërore. “Ajo është një grua e fokusuar dhe profesionale”.