Kardhiq-Delvinë/ Sonila Qato e pandehur për shpërdorim detyre

Ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, është zyrtarisht e pandehur nga SPAK për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Prokuroria e Posaçme i komunikoi akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për hetimet që po zhvillohen për tenderin e ndërtimit të rrugës Kardhiq-Delvinë, raporton Klan Neës.

Sonila Qato u paraqit në SPAK paraditen e sotme e shoqëruar nga avokati i saj. Aty iu komunikua akuza.

Sonila Qato u paraqit në SPAK edhe në fillim të muajit tetor. Ajo ishte thirrur për të dhënë deklarime.

Hetimet ndaj Qatos po zhvillohen për shkak të kallëzimit që është bërë nga një kompani ndërtimi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzime me tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Sipas KLSH, ka dyshimet që me tenderin e kësaj rruge ka abuzime në vlerën 5 milionë Euro. Ndërsa në kallëzimin e kompanisë, kjo e fundit pretendon se është skualifikuar nga gara për tenderin në mënyrë të padrejtë dhe në shkelje të ligjit.

Rruga Kardhiq – Delvinë është shoqëruar prej kohësh me akuza. Ato varionin kryesisht rreth zvarritjes së punimeve dhe abuzimeve me paratë e investuara në rrugë.