Ismail Kadare merr nënshtetësinë kosovare

Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare ka marrë nënshtetësinë e Kosovës, pasi sot (1 gusht 2023), presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nënshkruar dekretin. Ajo u shpreh se për shtetin e Kosovës është nder që i jep nënshtetësinë ikonës së letërsisë shqipe.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, u shpreh Osmani.

Ismail Kadare është një prej shkrimtarëve më të njohur në trevat shqiptare dhe më gjerë. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë në botë. Një ndër lexueset e tij është edhe Dua Lipa, e cila shpesh ka treguar se e lexon shpesh Kadarenë, madje, 2 veprat e tij “Tri këngë zie për Kosovën” dhe “E penguara, Requiem për Linda B.”, e shoqëruan në pushimet e saj.

Libri i parë, “Tri këngë zie për Kosovën”, përbëhet nga tri tregime, “Lufta e vjetër”, “Zonja e madhe” dhe “Lutje mbretërore”, të cilat bëjnë fjalë për betejën e Kosovës më 1389-n dhe pasojat e saj.

I dyti, me titull në origjinal “E penguara, Requiem për Linda B.”, është një libër për vajzat shqiptare që u lindën e u rritën në internim.

Sipas Kadaresë, “Libri flet për një njeri të penguar. Zakonisht në traditën e letërsisë botërore pengesën e krijon fati, këtu është përshkruar një pengesë e një tipi të ri më të vonshëm se fati, pengesa e shtetit. I kushtohet të gjithë vajzave shqiptare që kanë pësuar internimin dhe jo një emri, apo një tjetri”.

Disa libra të tjerë të famshëm të Kadaresë janë edhe: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Kronikë në gur”, “Pallati i ëndrrave”, “Piramida”, “Darka e gabuar”, “Kukulla”, “Kush e solli Doruntinën” etj.

Anabelmagazine