“Isha jashtë kuadratit të qenies humane”- Aktori Josif Sina rrëfen transformimin në filmin horror: M’u desh të mbaja…

“Castle Freak” titullohet filmi horror me regji të Tate Steinsiek, në të cilin luan edhe aktori nga Shqipëria, Josif Sina.

Pas protagonizmit në shfaqjen plus 18, “Bosh”, ku guxoi me nuditet në një skenë teatri, Josif Sina rrëfen për “Panorama Plus” emocionet e një roli në filmin e tij të parë me metrazh të gjatë, ku gjithçka ndodh pasi nata ka rënë.

Xhirimet e filmit janë bërë në një kështjellë të Shqipërisë rurale, aty kur ngjarje misterioze fillojnë të ndodhin njëra pas tjetrës. I prezantuar si modeli i mashkullit ndryshe, Josifi rrëfen detaje nga përfshirja në një projekt ndërkombëtar me rolin ku i duhej të skaliste trupin.

Duket se pas shfaqjes “Bosh” në teatër, karriera jote po shtrihet në dimensionin kinematografik, pasi luan në një projekt ndërkombëtar si “Castle Freak”. Si u bëre pjesë?

Filmi u xhirua në korrik-gushtin e 2019-ës. Kontaktet e para janë bërë që nga maji nga producenti shqiptar Genc Përmeti, i cili bëri dhe audicionet për rolin. Audicioni i parë u bë nga Genci, pastaj u bë kinoprova e parë që iu dërgua regjisorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas kinoprovës së dytë fitova rolin e Grandfather.

Një djalë me pamje modeli si ty që maskohet poshtë një pamjeje të frikshme. Bën horrori për ty, e shijove si rol?

Unë horrorin e kam një ndër zhanerat e mi të preferuar. Për më tepër që shtëpia e produksionit ka realizuar filma unikë horror si “Midsummer”.

Zakonisht, aktorëve u duhet të bëjnë një transformim fizik për t’iu përshtatur rolit. Ty t’u kërkua diçka e tillë nga regjisori?

Po. Kam punuar shumë fort me trupin dhe me dieta për faktin se duhet të isha shumë i dobët dhe me plastikë shumë të mirë.

Si do ta përshkruaje eksperincën e transformimit, duke qenë se kishe fatin të provoje sheshxhirimin e industrisë amerikane të filmit?

Ishte një eksperiencë e mrekullueshme për disa fakte. E para kishte një staf të mirëfilltë dhe një buxhet të mirëfilltë për një film me metrazh të gjatë. Ishin pesë artistë amerikanë që bënin make up fiks dhe efektet speciale, që 90 % e tyre kanë qenë të realizuara aty, pra, të prekshme dhe jo me post roduksion.

Si hera jote e parë, ishte fiks ajo që dëshiroje?

Po. Për mua ishte filmi i parë me metrazh të gjatë ku luaj dhe
ishte fiks ajo që doja.

Duke qenë se shfaqesh nën lëkurën e personazhit tënd të frikshëm, do të doje t’i prezantoheshe botës me fytyrën tënde të vërtetë?

Gjithmonë e kam parë si sfidë dhe si një dëshirë të madhe të luaja një rol të kësaj natyre dhe të këtij dimensioni. Ishte një sfidë shumë e madhe, por pafundësisht unike dhe e bukur të dilje jashtë kuadratit të qenies humane. Ishte një eksperiment shumë special për mua si aktor.

U ndjeve aq i lirë sa të shfaqje talentin tënd të vërtetë?

Besimi, dashuria dhe pozitiviteti që kishte regjisori, por dhe i gjithë stafi më bëri që të jem plotësisht i lirë dhe pa asnjë kompleks.

Po në realitet ç’lloj karakteri përfaqëson, pra, jashtë artit?

Unë zgjohem çdo ditë duke menduar me veten që kam shumë, po shumë për të mësuar. Bota, qenia humane, është pafundësisht komplekse dhe kam aq shumë për të mësuar. Motoja ime në jetë është të jem në paqe me veten dhe ta dua veten, pasi kush do veten, ka dashuri për gjithë botën. Por nuk di a do mund të gjeja një fjalë apo një fjali për të përkufizuar veten!

Mes maskilitetit të dukjes dhe sensualitetit shpirtëror, ti si e sheh veten në pasqyrë?

Mendoj që lufta më e madhe botërore janë përkufizimet. Kam përshtypjen që duhet një studim psikologjik për këtë çështje, por sipas mendimit tim çdo qenie humane duhet të njohë veten në çdo pikë fizike dhe psikologjike, mashkull a femër qoftë. Njerëzit në përditshmëri harrojnë dhe përtojnë të merren me veten dhe përfundojnë duke mos ditur se kush janë, ose duke u bërë kopje të shëmtuara të dikujt që nuk ka lidhje me ta.

Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka