Humbi 8 kg për 15 ditë! Navalny po përjeton probleme shëndetësore në burg, shtohen DYSHIMET mbi trajtimin e tij

Gjendja shëndetësore e liderit të burgosur opozitar rus, Aleksei Navalny, është përkeqësuar ndjeshëm pas asaj që zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh, e quajti “trajtim” të dyshimtë nga personeli mjekësor i burgut për dhimbjet e stomakut që Navalny i kishte gjatë izolimit ndëshkues në burg.

Në një deklaratë të publikuar në Twitter, zëdhënësja e Navalnyt tha se, më 7 prill, një ambulancë u thirr vonë natën në kampin e punës ku kritiku i Kremlinit është i burgosur, pasi ai kishte dhimbje të mëdha në stomak. Ai raportohet se humbi tetë kilogramë gjatë 15 ditëve në një qeli ndëshkuese.

“Nuk ka asnjë trajtim mjekësor për të. Të gjitha ilaçet që mamaja ia dërgon me postë, autoritetet e kampit të punës nuk ia pranojnë dhe pakot i kthehen dërgueses”, tha ajo.

“Çdo herë, ne duhet të luftojmë për t’u siguruar që atij t’i ofrohet një lloj ndihme mjekësore, ndërsa personeli mjekësor i burgut injekton substanca të panjohura në trupin e tij dhe refuzon të na thotë se cilat janë këto substanca”, shtoi Yarmysh.

Ajo theksoi se “ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që tani, teksa flasim, Aleksei po helmohet dalëngadalë, po vritet dalëngadalë për të shmangur vëmendjen e publikut”.

Frika për gjendjen shëndetësore të Navalnyt është shtuar gjatë muajve të fundit pasi zyrtarët e burgut e kanë vendosur atë në izolim edhe për shkelje të vogla. Lideri opozitar i burgosur ka kaluar më shumë se 100 ditë në izolim ndëshkues që nga gushti i vitit 2022./Dosja.al