“Hirin e djalit e mbaj në shtëpi”, Cristiano Ronaldo rrëfehet pas tragjedisë: Nuk di a të qash a të qeshësh

Sulmuesi i Manchester United, Cristiano Ronaldo ka thënë se e mban hirin e të birit në shtëpi, ndërsa vdekjen e tij e përshkroi si momentin “më të keq” të jetës.

Në një intervistë me Piers Morgan, ylli portugez foli haptazi për tragjedinë që preku familjen e tij.  “Hiri i djalit tim është me mua, njësoj si babai im, janë këtu në shtëpi. Është diçka që dua ta mbaj për gjithë jetën dhe jo ta hedh në oqean apo në det”, tha Ronaldo, babai i të cilit ndërroi jetë në vitin 2005.

I mbaj me vete. Është ngjitur me babain tim. Kam një kishëz të vogël poshtë dhe i mbaj aty babin e djalin”.

Kur lajmëruan lindjen e vajzës dhe humbjen e binjakut të saj, Cristiano dhe Georgina shkruajtën në rrjetet sociale se: “Vetëm lindja e vajzës sonë na jep forcë të jetojmë këtë moment me pak shpresë e lumturi”.

Në intervistë, Ronaldo shpjegoi se sa të vështirë e kishte të vajtonte djalin e tij dhe njëkohësisht të gëzonte për vajzën e sapolindur. “Është çmenduri. U përpoqa t’i shpjegohesha familjes apo miqve të ngushtë. Thosha ‘nuk jam ndierë kurrë i lumtur dhe i trishtuar në të njëjtën kohë’. Nuk jam ndierë kurrë.  Është e vështirë të shpjegohet. Nuk di a të qash a të qeshësh”, tha ai.

Pavarësisht lajmeve të hidhura jashtë fushës së gjelbër, futbollisti u kthye shpejt në skuadrën e Manchester United. Ai u shpreh se përballja me një tragjedi familjare ndërsa duhej të luante në nivelet e larta ishte e vështirë për të gjithë.

Me gjasa, momentet më të vështira që kam kaluar në jetë, pasi vdiq babai im”, tha Cristiano./tvklan.al