Gersi Troka, medalje olimpike në “Berlin 2023”

Në kryeqytetin e Gjermanisë po mbahen Lojërat Botërore Olimpike Speciale “Berlin 2023”, aty ku delegacioni shqiptar i përbërë nga 10 atletë dhe 11 trajnerë, staf dhe vullnetarë ndihmës, parakaluan në një nga veprimtaritë më të rëndësishme sportive në nivel botëror për personat me aftësi të kufizuara intelektuale. Rreth 7,000 atletë kanë nisur konkurrimin nga data 18, deri më 25 qershor 2023, në 26 disiplina sportive. Këto janë Lojërat e 16-ta Olimpike Speciale ku marrin pjesë 190 delegacione nga e gjithë bota të asistuar nga 20,000 vullnetarë.

Kjo lëvizje rritet çdo ditë në të gjithë botën, ashtu si edhe në Shqipëri dhe ajo ka tani edhe kampionin e saj edhe në Lojërat Olimpike Speciale. Notari Gersi Troka bëri një paraqitje të shkëlqyer në garën 200 metra stil i lirë në not, duke ia dalë të marrë medalje ari. Që në çerekfinale e gjysmëfinale, Gersi u shfaq ndjeshēm dominues, duke lënë ndjeshëm pas rivalët e tij, teksa edhe në finale ia doli të vendosë kohën më të mirë dhe të marrë medaljen e parë të Artë për Skuadrën Speciale Shqiptare.

Duhet theksuar në fakt se kjo nuk është hera e parë për notarin Gersi Troka, që ia del të marrë medalje në evente ndërkombëtare, por do të mbahet mend padyshim si medalja e parë e artë e Shqipërisë, në Lojërat Olimpike Speciale.