FOTO/ Dalin në gjykatë blogerët rusë të dyshuar për spiunazh, ja katër akuzat që janë ngritur ndaj tyre

Ka nisur në orën 11:00 këtë të mërkurë, 24 gusht, në ambientet e gjykatës së Elbasanit seanca gjyqësore për rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj dy shtetasve rusë dhe një ukrainasi që u arrestuan të shtunën nën dyshimet për spiunazh në uzinën Ushtarake në Gramsh. Mikhail Zorin, Fedir Alpatov dhe Zvetlana Timofeeva janë të arrestuarit në incidentin në uzinën ushtarake.

Korespondenti i Panorama bën me dije se gjyqtarja është Pajtime Fetahu dhe prokurori i çështjes, Kreshnik Ajazi.

Gjyqtarja Pajtime Fetahu tha se janë katër akuza të ngritura nga Prokuroria ndaj tyre: “dhënia e informatave sekrete”, “sigurimi i informatave”, “goditje për shkak të detyrës”,
“stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme”.

AKUZAT MBI “BLOGERËT”

Dy shtetasit rusë dhe një ukrainas u kapen mbrëmjen e 20 gushtit 2022.

Prokurori i çështjes, Kreshnik Ajazi, ka kërkuar për ta “Arrest me burg”.

Në komunikimet e tyre telefonike, si dhe pamjet e gjetura në aparatet telefonike, kanë ngritur dyshime se ata kanë lidhje me spiunazhin dhe shkëmbimin e informacioneve mbi objektet ushtarake në Shqipëri.

Dy shtetasit rusë dhe ai ukrainas u arrestuan nga Policia e Elbasanit për sulmin ndaj ushtarëve tanë, ndërkohë që ata po hetohen si të dyshuar për spiunazh.

Ata tentuan të futen në uzinën ushtarake në Gramsh, por sipas Policisë sonë, u diktuan nga rojet ushtarake që ruajnë objektin ndaj të cilëve përdorën lëndë kimike. Sipas Prokurorisë, shtetasi rus, Mikhail Zorin, 23 vjeç, është ai që ka hedhur lëndë kimike ndaj ushtarakëve shqiptarë.

Dy persona të tjerë që e shoqëronin atë ishin jashtë rrethimit të uzinës, Svjetlana Timofeeva, 33 vjeçe, me pasaportë ruse dhe një 25-vjeçar me pasaportë ukrainase.

Ata u ndaluan nga Policia e Shtetit, kur po largoheshin me një automjet tip “Chevrolet” me targa ukrainase, ku mësohet se gjatë kontrollit në automjetin e tyre u gjet edhe një fishek që autoritetet tona po i kërkojnë origjinën!

Pesë ditët e hetimeve intensive, vetëm më i riu ka pranuar të flasë për prokurorin

33-vjeçarja Svjetlana Timofeeva nuk ka pranuar asnjë akuzë të ngritur, po ashtu as 25-vjeçari nga Ukraina. Ata thonë se janë fotografë profesionistë që investohen për blogun e tyre, por tjetër gjë mendon grupi hetimor, që sipas të dhënave, përbëhet nga një mori ekspertësh të fushave të ndryshme.

Ndonëse ngjarja ende nuk ka një kronologji të asaj çfarë vërtet ka ndodhur mes palëve, sipas të dhënave, është i riu rus, 23-vjeçari Mikhail Zorin, i cili ka dëshmuar se ka kryer edhe një sërë vizitash të tjera në vende të ndryshme të Shqipërisë, me qëllim fotografimin dhe dokumentimin e tyre.

Grupi hetimor që bëri 5 ditë të çonte për masë të rinjtë rusë, dyshon se tre të arrestuarit në Gramsh shërbejnë për agjenci menaxhimi informacioni nga vendet e Lindjes. Për pasojë kanë dyshime të arsyeshme se këta tre persona kanë qenë me qëllim të caktuar në vendin tonë.

Edhe pse kapja e tyre erdhi në mënyrë aksidentale, fiksohet se në aparatet e tyre fotografike janë gjendur një mori objektesh që për grupin hetimor, janë të një rëndësie të veçantë.