Fest 62/ Xhuliano Dule shkakton të qeshura në Pallatin e Kongreseve: Jam versioni njerëzor i barit që u kultivua në Lazarat

Aktori i njohur, Xhuliano Dule është një nga bashkë prezantuesit e Fest 62, ndërsa hyrja e tij këtë mbrëmje ishte ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim. Si aktor humori, ai u prezantua në Festival me një stand-up komedi, duke shkaktuar plot të qeshura.

I lindur në Shqipëri, por rritur në Itali, edhe Xhuliano, si shumë shqiptarë të tjerë që ndajnë të njëjtën histori, nuk i shpëton dot pyetjes nëse ndihet më shumë shqiptar apo italian. Por kur tregoi si ai e shpjegon “thjeshtë” këtë në Itali, shkaktoi të qeshura në skenën e Pallatit të Kongreseve.

“Unë linda në Shqipëri, por u rrita në Itali dhe kur njerëzit e marrin vesh në Itali që jam shqiptar, më pyesin a ndjehesh më shumë shqiptar apo italian? Dhe unë i them, dëgjo zoti oficer, më lër të shkoj se i kam dokumente jam në rregull, por meqë po vazhdon të pyesësh ta thjeshtoj unë. Më konsidero thjesht një produkt ‘made in Albania’. U mbolla në Shqipëri, u eksportova i paligjshëm dhe u konsumova në Itali. Mund të themi që jam versioni njerëzor i barit që u kultivua në Lazarat”, tha Xhuliano.

/rtsh.al/