Eleni Foureira për herë të parë në një intervistë shqiptare, rrëfen jetën e saj

Eleni Foureira është këngëtarja me origjinë shqiptare, e cila ka zhvilluar karrierën e saj në Greqi. Prej vitesh këngëtarja e ka mohuar prejardhjen për shkak të paragjykimeve, por tani më krenare se kurrë ajo nuk e mohon më këtë fakt. Para pak ditësh Eleni mbajti në Tiranë edhe koncertin e parë ku tregoi se kjo ishte një eksperiencë mjaft e bukur.

Para se të largohej për të vazhduar turin e saj, Eleni ka bërë një intervistë me Jonida Shehun në emisionin më të ri, “Jonida podcast”. Përgjatë intervistës ajo tregoi për largimin e dhimbshëm nga atdheu dhe përjetimet e para në Greqi.

“Më kanë mbetur pak kujtime, por ato pak i kam shumë të forta. Nuk mbaj mend shumë nga vendlindja, Patosi, por kujtoj shumë gjëra nga vendi ku jam rritur, Vlora. E mbaj mend si një vend të bukur pa rrugë, sepse 25 vite më parë nuk kishte. Ndihesha shumë e lirë dhe e lumtur në atë vend. Kur filluan të ndodhnin rrëmujat e piramidave në Vlorë, filluan të shtënat ndaj ne vendosëm të linim Shqipërinë sepse nuk kishim më lek. Në fillim ishte shumë e vështirë sepse po nisnim jetën nga e para. Mami dhe babi vendosën të na flisnin greqisht në mënyrë që ne të mësonim shumë shpejt dhe të mos kishim probleme me shkollën”, tregon Eleni teksa ndërthur shqipen me greqishten, shkruan Who.