Ekskluzive/ Pas aksidentit flet Robert Berisha: Më goditi një kamion

Robert Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe aksidenti në të cilin u përfshi nuk ka patur asnjë dëm serioz.

Ditën e sotme ai u përfshi në një aksident automobilistik. ‘Insajder’ publikoi pamjet nga aksidenti për të cilin raportoi se ka ndodhur tek vendi i quajtur “Rrethi me flamur” në Prishtinë. Në pamjet e publikuara, këngëtari shihej i nervozuar teksa bisedonte me të pranishmit në vendngjarje.

Nga ky aksident nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale. ‘Panorama plus’ kontaktoi me Robertin, i cili na tha se bëhet fjalë për një aksident të lehtë dhe se nuk ka patur asgjë serioze. Lidhur me polemikën e ngjarjes, moderatori zbuloi se është përplasur me një kamion që i ka shkaktuar dëme materiale.

“Aksident i lehtë. Një kamion nga më të mëdhenjtë më goditi nga pas. Ia fala se ishte punëtor e nuk i dalin as 5 paga që ta paguaj dëmin.”– u shpreh ai. Ai po ashtu ka publikuar edhe një foto nga makina ku shfaqet i buzëqeshur dhe në gjendje të mirë.

Ndonëse dita e sotme nuk ka qenë e këndshme për Robertin, nuk mund të themi të njëjtën gjë për këtë periudhë në tërësi. Këngëtari po jeton një romancë të bukur dashurie me modelen Laureta Maqedonici me të cilën konfirmoi lidhjen pak kohë më parë.

Çifti po jeton ditë të arta, ku shfaqen gjithandej së bashku. Për miqtë dhe rrethin e njohur të Prishtinës, Laureta është tashmë një emër i njohur, pasi e shoqëron kudo Robertin, që prej kohësh gëzon famën e një prej beqarëve më të mikluar nga femrat. Dashuria e re duket se po jetohet fare lirshëm, duke mos iu fshehur syrit të kureshtarëve, ndonëse si vetë këngëtari shprehet, nuk është në planet e tij martesa.

Tani jam shumë i lumtur”, zbuloi këngëtari i njohur. I pyetur nëse ka plane për dasmë, Roberti u shpreh “jo, nuk do të ketë”. “Është një harxhim që nuk ia vlen. Me ato lekë i kisha bërë dy muaj pushime. Nëse ajo (partnerja) më beson që me ato lekë do kalojë më bukur se në dasmë”, përfundoi Berisha. Laureta, tashmë është pjesë e jetës së Robertit prej disa muajsh.

Që pas ndarjes nga Nora Istrefi, Roberti është përfolur për disa flirte, ku më e bujshmja është ajo me modelen Jess Kadiu.