EKSKLUZIVE/ Josif Sina pozon për “Vogue”: Në Shqipëri nuk kisha as shokë se më bullizonin, tani do më shihni në filma dhe seriale francezë

Nga Klotilda Harka

I veçantë, i guximshëm dhe vetvetja! Josif Sina, protagonisti i shfaqjes “Bosh”, ku tërhoqi vëmendjen me nuditet në një skenë teatri, është artisti që nuk heziton të zbulojë të vërteta lakuriqe kur vjen puna për realitetin shqiptar, pasi ishte pikërisht ky realitet që u bë edhe shkak që ai të largohej nga Shqipëria. E tashmë i ndodhur në momentin dhe vendin e duhur, Francë, modeli i mashkullit ndryshe nga Tirana ku gjinitë nuk kanë një kufi ndarës, për fatin e tij të madh ka pozuar për një nga fotografet më në zë në Europë dhe Amerikë, Julia Batten. Foto e tij, ku shfaqet i ulur para pasqyrës në stilin e aristoktracisë pariziene, u postua në prestigjiozen “Vogue”. Në këtë intervistë për revistën “Story”, Josifi rrëfen të gjitha dritëhijet e botës së artistit autentik, që u largua kur ndjeu se i rrinte ngushtë vendi i tij…

Fotot e tua si model janë vërtet impresionuese pasi duket sikur brenda teje gjinitë nuk kanë kufij ndarës. Çfarë ndodh në botën tënde ekzistenciale?

Unë gjithmonë kam qenë, jam e do te jem një artist që do ta lë të lirë botën e artistëve që duan të bashkëpunojnë me mua, ashtu si unë e dua të lirë botën time. Për mua nuk ka rëndësi gjinia, raca, feja, etj. Këto janë emërtime, përcaktime ndarëse. Unë jam një qenie humane, një qytetar i botës që dua të nxjerr më të bukurën nga vetja ime, dhe këtë e bëj më së miri në art. Në projektet që kam bërë deri tani nga fotografia deri tek teatri nuk kanë qenë thjesht tallavaja e rradhës, hajde shtojmë disa followersa, bëjmë disa lekë, pak rëndësi ka se çfarë prodhojmë, pasi sot do isha mes yjeve në “Big Brother” (qesh). Jo, projektet në të cilat kam marrë pjesë, kanë një mesazh, një ide që japin, një emocion që përcjellin. Për mua këto janë të rëndësishme. Unë dua që unë apo krijimi im të ketë një kuptim, të ndryshojë diçka, të vërë diçka në lëvizje, në mendjen e spektatorit. Ashtu si unë përjetoj katharsis kur krijoj, të njëjtën gjë të përjetojë dhe publiku.

Njihesh jo vetëm si model, por edhe si aktor. Ku bashkohen dhe ndahen këto dy profesione si përjetime?

Jeta ime artistike ka nisur në një moshë relativisht të vogël, pasi 9 vjeç kam prekur skenën për herë të parë. Që nga ajo periudhë, eksperimentimi në dimensione të ndryshme të artit ka qenë në disa dimensione; aktor, moderator emisionesh në periudhën e gjimnazit, në radio dhe televizion, këngë nëpërmjet 3 shfaqjeve tip muzikal, kërcim kontemporan nëpërmjet klasave të marra dhe dy shfaqjeve dhe modelin, tashmë me disa eksperienca në Shqipëri dhe Francë. Di të them që gjithmonë kam qenë, jam dhe do të jem në kërkim të dimensioneve të reja dhe për të arritur deri aty ku qenia ime, psikofiziku im mund të prekë.

Shumë njerëz e përqafojnë artin për t’i ikur realitetit. Po ti?

Arti ka qenë një shpëtim nga realiteti jo i lumtur që kam pasur, apo me saktë bullizmi që kam përjetuar pothuajse gjatë gjithë jetës sime në Shqipëri. E sot është arsyeja kryesore pse frymoj, i vetmi fener që më ndriçon të ardhmen. Është një lidhje shumë sublime kjo, e cila në pavetëdije më bën që gjithë mendimi dhe energjia ime të jetë në të, për të zbuluar më shumë pjesë të vetes sime që lidhen me të. Por në fund të ditës jam aktor, që për fatin tim të mirë kam edhe disa aftësi të tjera që me pak talent dhe shumë punë, mund të më ndihmojnë për të realizuar rolet e mundshëm që mund të më ofrohen.

E tashmë je vendosur në Francë. Çfarë të joshi ty personalisht të hedhësh këtë hap në vendin e dëshiruar nga shumë artistë?

Çfarë më joshi nga Franca… Në fakt ishte zhgënjimi, ose humbja e shpresës më saktë nga gjendja momentale politike, artistike, kulturore, ekonomike dhe emocionale ku ndodhet populli shqiptar sot, që më bëri të mendoja si të pamundur vazhdimin e ëndrrës sime të madhe, dhe si rezultat të kërkoja një mundësi tjetër. Zgjedhja e Francës, ishte sa rastësore aq edhe e goditur, gjërat janë të destinuara në jetë, thjesht duhet të jesh gati në vendin e duhur, kohën dhe i përgatitur. Një miku im prej shumë vitesh jeton këtu, dhe pas alarmit që unë kisha vënë në shoqëri (qesh) prej disa kohësh, (që dua të provoj talentin dhe ëndrrën time jashtë Shqipërisë), ai më sugjeroi Francën. Më fliste për të, për kulturën, për faktin se është një vend që e do artin, të bukurën, që investon për to, si një vend që i afron artistët e rinj, që është mjaftueshëm mendje hapur për të pranuar të renë, autenticitetin.

Dhe si e përjetove momentet e para të mbërritjes në Francë?

Ka qenë e vështirë, dhe pse mendoja që mendësia ime përqasej me atë franceze, përsëri nuk mund të them që nuk pësova një shok kulturor, për mirë sigurisht. Për momentin jam në një agjenci modelingu. Për fatin tim pata fatin e madh që të pozoja për një nga fotografet më në zë në Europë dhe Amerikë, Julia Batten, foto e cila u postua dhe në “Vogue”, dhe sigurisht është pjesë e një katalogu të dalë në treg, nga Julia. Kam pasur edhe photoshooting të tjera nacionale. Jam marrë me përvetësimin e gjuhës, jam duke marrë klasa muzike, për të punuar zërin dhe tani do të filloj një studio aktrimi për teatër dhe kinema.

Brenda një kohe të shkurtër në Shqipëri përjetove eksperienca në teatër, film e modë. Nisur nga shfaqjet e tua skenike, si e përjetove nudon në teatër dhe nudon mashkullore të mbuluar me dantellë në fotot artistike?

Varet… varet nga konteksti, varet se si përdoret imazhi, cili është qëllimi. Mund të jetë dhe i mbuluar, dhe vetëm me gjestikulacione mund të duket seksi. Për mua personalisht ka edhe zëra që janë shumë seksi dhe mund të më japin të njëjtën ndjesi si një trup nudo. Ose për shembull, unë kam bërë shfaqjet bosh që isha pothuaj se 45 minuta nudo në skenë, dhe vetëm ndjellje seksi nuk mund të ishte. Unë vërtet flisja në disa momente për seksin aty, por si përdhunim si diçka të pështirë. Dhe asnjë nga spektatorët nuk më ka thënë: Fakti që ishe nudo dukej shumë seksi, përkundrazi kanë dalë të rrëqethur, emocionuar, përlotur nga gjithë rëndesa emocionale që kishte përmbajtja e asaj shfaqjeje. Siç mund të ketë ndodhur e kundërta në shfaqjen “Epsh dhe Lakmi” edhe pse me pantallona. Fakti që kishte skena erotike ka bërë t’u dukem shumë personave “seksi””.

E nisur nga titulli “Bosh” i shfaqjes ku interpretove nudo, kur je ndjerë vërtet bosh në jetën tënde?

Oh…! Shpesh herë jam ndjerë bosh. Kur nuk kam fituar një audicion, kur një natë nuk kam dalë ashtu si doja në skenë, zhgënjimi nga një (disa, shumë haha…) miq, të qenurit larg familjes më bën të ndihem shpesh bosh. Fakti që për momentin kam pothuaj se 1 vit e gjysmë pa u ngjitur në skenë më bën të ndihem shumë, shumë bosh. Fakti që për vite me radhë nuk kisha shokë se më bullizonin, më bënte të ndihesha bosh. Por, kam arritur në një pikë të jetës sime, që e shoh si normale.

Dhe cila është mënyra jote për të mbushur boshllëkun?

Në jetë gjithmonë do kesh ulje-ngritje, zhgënjime, gabime, momente lumturie. Çdo hallkë që kalojmë është një mësim i vyer, kështu që mundohem ta marr çdo gjë me pozitivitet, dhe t’i marr më të mirën asaj. E ritheksoj, arti është i vetmi që më bën që të largohem nga realiteti dhe të mbushem sa të dua e si të dua, pa paragjykime, pa zhgënjime. Arti nuk më ka lënë kurrë vetëm, është gjithmonë aty me mua. Unë jam një njeri që jap shumë mirësi, dashuri, besoj në dashuri dhe dua që ta shpërndaj atë po me aq bollëk, sa unë kam dëshirë të marr. Arti është i vetmi që ma ka kthyer gjithmonë mbrapsht njësoj, e mos më shumë. Me pak fjalë është terapia më e mirë e mendjes dhe e shpirtit për mua.

E ke provuar ti dashurinë që të mbush shpirtin e të zhvesh nga çdo kompleks, dhe si është?

Po, e kam provuar. Por jo në një marrëdhënie romantike, pasi nuk e di nuk jam shumë i suksesshëm në atë fushë (Qesh). Por në shoqëri po. Siç kam thënë dhe më lart, unë jam një njeri që dashurinë e jap pa kompromise dhe është, ndër ndjesitë më të bukura që ndjej kur bëj dikë tjetër të ndihet i lumtur. Dhe një nga pikat e tjera që e kam të rëndësishme është sinqeriteti pa asnjë lloj gjykimi e paragjykimi, dhe si duket këto veti kanë bërë një lloj spastrimi në jetën time për të lënë disa miq vërtet të ngushtë, që nuk kemi asnjë lloj kompleksi me njëri-tjetrin. E kemi parë njëri-tjetrin në momentet më të mira dhe më të këqija, i kemi treguar njeri-tjetrit nga momentet që na bëjnë me krenar deri te momentet që mund të jemi ndjerë më shumë keq për veprimet tona. Pra jemi pa asnjë lloj barriere, kompleksi apo paragjykimi.

Çfarë të mungon nga rrethi artistik shqiptar, dhe nga çfarë mendon se je çliruar?

Do të duket ndoshta shume arrogante por nuk më mungon asgjë, vetëm gjuha ime më mungon, të lexoj e të studioj një vepër në shqip. Kam shpëtuar nga paaftësia, nga injoranca, mendje ngushtësia, zilia, servilizmi, buxhetet minimale që jepen për artin. Imagjinoni, seti fotografik që fola më sipër me Julian ka pasur buxhet shumë më të madh se një film me metrazh të gjatë në Shqipëri, e shumë ngërçe të tjera që i kemi ne si popull fatkeqësisht me një dhembje shumë të madhe, e them por i kemi. Kjo vjen nga shumë faktorë, por do më duhej një intervistë tjetër të flisja për mendimin tim mbi arsyet pse populli shqiptar është i katandisur sot në këtë lloj mënyrë, që nuk po duam më veten dhe njëri-tjetrin.

Dhe cili është aktorja apo aktori, me të cilin do të doje të ndaje skenën apo sheshxhirimin?

Vetëm një është, Ema Andrea. Zysh Ema është ajo artiste multidimensiole që gjithmonë kërkon, punon, e kurrë nuk i thotë vetes: “Ti i di të gjitha tani!” Me një shpirt te bukur, plot dashni e pasion.

Ambiciet e tua deri ku shkojnë? Ku dhe si do të të shohim përtej kufijve?

Unë do të punoj deri në pikën e fundit për të arritur ato që dua. Kurrë nuk kam hequr dorë dhe nuk do të heq ndonjëherë dorë nga ëndrrat e mija. Unë e dashuroj si filmin dhe teatrin. Kështu që do t’i bëj të dyja. Përtej kufijve do më shihni siç më keni parë gjithmonë. Josifin vetvetja, pa kompromise, autentik dhe pse jo në filma dhe seriale francezë dhe internacionalë.Artist i vërtetë për ty është ai ose ajo që…?

Artist i vërtetë për ty është ai ose ajo që…?

Që punon, që punon fort, që nuk reshtet apo lodhet, që nuk mendon se i di të gjitha dhe është numri një. Por një nga pikat kryesore që është njeri, që është qenie humane. Arti është empatik, emocional, shpirtëror dhe po nuk i përjetove këto me njeriun, po nuk pate eksperiencën e dashurisë njerëzore nuk je dot artist. Nuk mund të jesh dot artist, po nuk dite të dashurosh, sepse arti vetë do dashuri pa fund. Mendim i imi personal ky. /www.story.al