Dojna Mema: 9 muajt që më ndryshuan jetën!

Pritjes po i vjen fundi. Dojna Mema dhe Vlashent Sata po presin nga momenti në moment, ardhjen në jetë të djalit të tyre të parë. Në një intervistë për Revistën Who, Dojna rrëfen 9 muajt që i ndryshuan jetën.

Sa kohë ishte ky fëmijë lutja e mëngjesit dhe e natës së mirë?

Mendoj vërtet që janë fëmijët ata që zgjedhin prindërit dhe jo anasjelltas. Në rastin tonë, nuk po luteshim për të patur një fëmijë, por kur e zbuluam e deshëm me gjithë forcën tonë. Unë e kam ndjerë që në atë çast edhe gjininë e tij. E dija që ishte djalë. Ka diçka magjike, prej një tjetër bote, në ndjesitë dhe intuitën e një gruaje shtatzënë.

Si kanë qenë këto 9 muaj, nga dita e parë deri më sot?

Muajt e parë, të lodhshëm duke qenë se unë isha në kulmin e punës si autore dhe moderatore e “Fan Club”. Mbaj mend muajin e tretë që ishte edhe më intensivi i ngjarjeve brenda në “Big Brother Vip”, ndërkohë mundohesha të mos më zinte gjumi kudo, ndonjëherë edhe ulur. Kështu tre muajt e parë djali ka dëgjuar vetëm biseda televizioni.

Në tremestrin e dytë kam udhëtuar shumë dhe rrjedhimisht ka dëgjuar gjuhë nga më të ndryshmet. Unë e kam jetuar në maksimum atë periudhë dhe ka qenë padyshim më e bukura gjatë kësaj shtatzënie. Sa i përket tremujorit të fundit, babi kompozoi një këngë të re, ndaj ka dëgjuar muzikë të mirë. Unë jam tani në atë periudhë kur po numëroj edhe minutat. Ai e di kur dëshiron të vijë, uroj mos të vonojë shumë.

Vlashenti si është sjellë këto muaj? E ka duruar çdo tekë?

Vlashenti thotë shpesh që do të dëshironte të isha shtatzënë gjithë jetën. Sipas tij, nuk kam qenë kurrë më e dashur dhe e kujdesshme se këtë periudhë. Megjithatë, përtej kësaj, ai ka ditur të vërë në zbatim mjaft mirë filozofinë :”Një grua shtatzënë ka gjithmonë të drejtë”.

Nuk kam patur një shtatzëni tekanjoze, më tepër se kam dashur që çdo gjë të ishte gati shumë shpejt. E kam bërë të montojë krevatin katër muaj para dhe shpesh ai kujton me humor muajin e tretë të shtatzënisë kur mendoja për fondin e universitetit të djalit.

Si ke qenë ti me nepsin?

Kam zbuluar që isha shtatzënë në fund të nëntorit dhe atë periudhë më shkonte mendja vetëm për kajsi, të cilat sigurisht s’kishe asnjë mënyrë t’i gjeje në mes të dimrit. Kur erdhi stina e kajsive pastaj, më shkonte mendja për gështenja. Përtej nepsit të çuditshëm, për herë të parë e kam shijuar shumë ushqimin. I gëzohem çdo pjate si fëmijë.

Çfarë ka ndryshuar diçka te ti në këto muaj?

Gjithçka që shihet dhe nuk shihet. Adhuroj çdo ndryshim që i ka ndodhur fizikut tim. Madje kam dashur ta tregoj barkun që në fillimet e shtatzënisë duke u përballur hera-herës edhe me një mentalitet më supersticioz apo thjesht paragjykues. E kam shijuar këtë shtatzëni dhe kam ndarë emocionet e bukura që përjetoj. Për këtë nuk dua të gjykohem ashtu siç unë nuk gjykoj askënd./L.F-dritare.net