Dobësimi me 40 kg minus i hap Marsela Çibukajt dyer që s’i kishte imagjinuar, Ardit Gjebrea e prezanton si “partneren” e tij në skenë

Transformimi fizik i Marsela Çibukajt i solli jo vetëm fat në dashuri, por edhe në karrierë. Tashmë me 40 kilogramë minus në peshën e saj, këngëtares po i hapen dyer që kurrë s’i kishte imagjinuar.

Dhe ja ku kemi derën e ‘Kënga Magjike’, që kësaj here producenti dhe moderatori sqimatar Ardit Gjebrea e hap të gjithën për të. Kështu, Marsela do të jetë partnerja e tij në netët finale të ‘Kënga Magjike’, pasi me sa duket Arditit i duket po aq në formë sa vajzat seksi të huaja e shqiptare, që ka zgjedhur ndër vite të ketë në krah të tij.

“Kënga Magjike 2021” ka nisur me prezantimin e konkurrentëve të këtij edicioni, teksa i afrohet finales së madhe. Çdo ditë zbulohen detaje të reja dhe një nga më të rëndësishmit e zbuloi Arditi pak më parë.

Krah një fotoje më Marsela Çibukajn teksa shijojnë një gotë vere, ai pranon se partnerja e tij në netët finale do të jetë pikërisht këngëtarja e njohur.

“Gëzuar! Për prezantimin bashkë të netëve finale të ‘Kënga Magjike 2021’. Marsela, mbi të gjitha – Artiste”, ka shkruar Arditi, në postimin në fjalë. Marselën nga këngëtare e kemi parë të eksperimentojë edhe me ekranin e radion dhe ia ka dalë aq mirë sa tashmë i besohet edhe prezantimi krah Ardit Gjebresë.

Me një këmbë në prezantim e një në këngë, ajo nuk ndalon së surprizuari, sidomos pas ndryshimit në pamje. Kujtojmë që ajo e kaloi provën gjatë programit ‘E diela shqiptare’, ku yëvendësoi Arditin kur ai u u prek nga Covid. Ndërkohë, sa i përket jetës private, këngëtarja e njohur, e ftuar në “December to Remember”, rrëfeu dëshirën që ka për Babagjyshin e Vitit të Ri për vitin tjetër.

“E kam shprehur dhe unë një dëshirë. E bëhet fjalë për diçka shumë personale dhe të rëndësishme për mua”, tha këngëtarja e “Thërrime Dashurie”, duke shtuar se bëhet fjalë për një bebe.

Kujtojmë se Marsela është në një lidhje dhe e dashuruar me Vitmar Bashën, të cilën tashmë e kanë konsoliduar mjaftueshëm sa për të krijuar një familje së bashku. Marsela Çibukaj dhe Vitmar Basha janë në një lidhje prej disa vitesh.

Dhe çifti tani dëshirën që marrëdhënia e tyre të kalojë në një tjetër etapë të rëndësishme, ndërkohë që Marsela ka fituar betejën me humbjen e kilogramëve. Para disa muajsh muzikantët thanë se po planifikojnë dasmën, si edhe të bëhen me fëmijë.

“Dëshira ime është që njerëzit më të ngushtë t’i kem aty, dasmën dua ta bëj te Sahati. Është një vend i bukur. Ahengun dua ta bëj në Vlorë pas dy-tri ditësh”, tha Vitmari në emisionin “Jo vetëm modë”, ku ishte ftuar së bashku me këngëtaren.

“U zgjidh edhe ky muhabet”, iu kthye Marsela, e cila shtoi se ka një dëshirë shumë të madhe për t’u bërë me fëmijë dhe dëshiron një familje të madhe.

“Dëshira është shumë e madhe për t’u bërë me fëmijë, sepse jemi të dy të rritur. Kemi përmbushur mendoj edhe ato etapat e jetës, udhëtimet, eksperiencat, muzikën. Mendoj që vjen një moment kur njeriu e ndjen të nevojshëm krijimin e një familjeje tijën. Dua familje të madhe”, u shpreh ajo.

RRËFIMI I MARSELËS: SI U TRANSFORMOVA NGA NJË TRUP MBIPESHË NË NJË FEMËR ELEGANTE

Sa për dobësimin, Marsela Çibukaj brenda vetëm 1 viti arriti që të heqë nga pesha e saj plot 40 kg. Në një intervistë, këngëtarja tregoi edhe mënyrën sesi arriti të dobësohej duke u shndërruar në një dietologe të vetes.

“Tashmë jam shndërruar në dietologe dhe njerëzit më pyesin më shumë si jam dobësuar sesa si është kënga?”, tha ajo. Ajo tregoi se dietologia dhe mësuesja e saj e kantos në Itali e këshilluan vazhdimisht që të humbte peshë dhe Marsela ia dëgjoi këshillën.

Por ajo i është nënshtruar dhe ndërhyrjes së balonit gastrit. Për të ndihmuar fizikisht veten, zgjodhi sportin dhe korrektësinë në të ngrënë, duke favorizuar më shumë konsumin e frutave, perimeve, proteinave. Ushqimi mbas orës 7 të darkës, konsumi i ëmbëlsirave, alkoolit apo pijeve me gaz janë rutina të tjera, nga të cilat ajo ka hequr dorë.

Synimi i Marselës ishte dhe është një regjim sa më i shëndetshëm, duke favorizuar frutat e stinës, ushqimin në shtëpi dhe jo atë të përgatitur apo konservuar. Kështu me shumë vullnet, pak nga pak, erdhën dhe rezultatet e para. Por këngëtarja pranon se qëllimi i saj nuk ka qenë paraqitja e jashtme, pasi publiku e ka pranuar dhe përkrahur ashtu siç ishte, me kilet e tepërta.

Sipas renditjes të bërë nga vetë ajo, tre janë arsyet për këtë ndryshim rrënjësor, e para vetëbesimi, sepse një regjim i shëndetshëm e indukton këtë ndjenjë, më pas riaktivizimi fizik, që me mbipeshën ishte zhdukur dhe se treti një përformancë më e mirë dhe praktike në skenë.

Tashmë ajo ka arritur një ekuilibër, një peshë ideale, që i përshtatet fizikut dhe fiziologjisë që ka. Humbja e kileve të tepërta e bën të ndihet mirë dhe të shijojë këtë arritje, këto ndjesi apo lehtësi që të rrethojnë, dhe që vetëm sadisfaksioni i arritjes së figurës që dëshiron, arrin të të dhurojë.

Janë mjekët italianë, më saktë nutricionisti i saj që e ka shoqëruar në këtë udhëtim, duke ndryshuar dietën dhe duke analizuar vlerat e trupit të saj. Marsela e quan vetën të papërgatitur në këtë sektor dhe nuk ka dashur të rrezikojë duke marrë dieta të gatshme që gjenden edhe në faqe interneti.

“Më e mira është që secili nga ne, të ushqehet në bazë të nevojave individuale, ndonëse, brumërat, sheqernat, pijet e gazuara dhe alkooli duhen reduktuar”, thotë ajo. Ky regjim ushqimor i ri ka qenë prezent edhe në marrëdhënien e saj Vitmar Bashën.

“Përsa i përket ushqimit, secili nga ne ka ritmin e tij, sepse unë nuk mund t’ia lejoj vetes të ha një pizza në ditë. Vitmari i djeg më mirë kaloritë e marra dhe ushtron më shumë sport”, u shpreh ajo.

Ata bashkëjetojnë, por gjithashtu kanë secili folenë e tij, për të pasur hapësirën personale. Ndonëse njiheshin dhe respektoheshin si kolegë, shkëndinë e parë e kanë pasur gjatë një bashkëpunimi në një mbrëmje live, kur gjatë kthimit në shtëpi, ajo vendosi të mos refuzojë avance-at e tij.

Ndërsa përsa u përket komenteve në lidhje me peshën e saj, Marsela tha: “Duket sikur njerëzit kanë gjithmonë një pakënaqësi. Ose je shumë e shëndoshë, ose je shumë e dobët, duket sikur nuk ka kurrë një ekuilibër. Është e rëndësishme që te njeriu të bëjë atë që ndjen, në momentin që e ndjen dhe mbi të gjitha t’i bëjë për një arsye të vetme: shëndetin. Ndodh që trupi na jep sinjale dhe ne duhet të duam veten dhe të kalojmë përtej vlerësimeve të bukurisë, e cila nuk është meritë, por dhuratë. Duhet të pranojmë veten tonë, por nga ana tjetër duhet të kujdesemi edhe për shëndetin tonë. Ndjesia e veshjeve të reja, të cilat të qëndrojnë bukur, liria e zgjedhjes se një palë pantallonave pa vuajtur për të bërë kombinimin e duhur, lehtësia në përditshmëri, janë të gjitha momente kënaqësie dhe sodisfaksioni personal”.

/Panoramaplus.al