Dhuna barbare ndaj kushërinjve Maja/ Fevziu: Shumë më e rëndë se sa prangosja e ministrave

Dhuna barbare ndaj kushërinjve Maja nga anëtarët e fisit Rraja, për gazetarin Blendi Fevziu është më e rëndë se prangosja e ministrave.

Në një lidhje direkte për Klan News, gazetari Blendi Fevziu thotë se dhuna në një ambient publik e një bande të pajisur me shkopa bejsbolli apo me armë në dorë, që hyn në një lokal dhe ushtron dhunë ndaj 2 personave, është e patolerueshme.

Anjola Hamzaj: Çështja e Ahmetajt vjen vetëm pak ditë pas pamjeve shokuese të dhunës barbare që ndodhi në Borizanë të Fushë-Krujës. Si mendoni, pse po ndodh, kjo a është pasojë e një pushteti…?

Blendi Fevziu: Unë e mendoj ngjarjen e Borizanës shumë më të rëndë se sa prangosjen e ministrave. Një ministër që mund të ketë abuzuar, që mund të përballet para drejtësisë, është një çështje normale, ndodh dhe në vende të tjera të botës. Ka ministra, ish-kryeministra para drejtësisë, por dhuna në një ambient publik e një bande të pajisur me shkopa bejsbolli apo me armë në dorë, që hyn në një lokal dhe ushtron dhunë ndaj 2 personave, është e patolerueshme. Mund të ketë dhunë mes grupe të rinjsh që përballen me shkopa bejsbolli, mund të ketë edhe vrasje, por arroganca e një grupi duke dhunuar 2 njerëz në një ambient krejtësisht publik, është e patolerueshme. Natyrisht që ata kanë pasur një kredo politike në reagimin e tyre sepse kanë qenë të mbështetur politikisht dhe në nivele të mira politike, domethënë të mbështetjes politike./tvklan.al