Dëshmia e të miturit për keqtrajtime, nis procedimi penal për drejtoreshën dhe psikologen e shtëpisë së fëmijës, pezullohet polici

Policia e Shtetit reagoi sot pas akuzave që u bënë mbrëmë në media për drejtuesen dhe psikologen e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë dhe ndaj policisë.

Sipas policisë, rasti i transmetuar mbrëmë, në emisionin investigativ “Stop”, që bënte fjalë për një shtetas të mitur që ankohej se fëmijët e shtëpisë së fëmijëve “Vangjel Pula”, ishin keqtrajtuar nga stafi i këtij institucioni dhe nga një efektiv i Komisariatit të Policisë Sarandë, ishte denoncuar një vit më parë, por gjthsesi u bë nisja e procedimit penal për drejtoreshën dhe psikologen, ndërsa polici u pezullua.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në prani të psikologes së Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, kanë intervistuar shtetasin e mitur që shfaqet në pamjet filmike, i cili ka deklaruar se pamjet janë filmuar rreth 1 vit më parë. Për këtë rast janë kryer të gjitha veprimet procedurale, për shoqërimin dhe intervistimin e palëve të përfshira. Në vijim të këtyre veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetaset S. D., 58 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e shtëpisë së fëmijës “Vangjel Pula” dhe R. B., 29 vjeçe, me detyrë psikologe në këtë institucion, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”.

Gjithashtu, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, shtetasit A. Sh., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Delvinë, pas deklaratës nga shtetasi i mitur se ky punonjës policie e kishte keqtrajtuar.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë.

“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat për bashkëpunimin dhe për denoncimin e rasteve të tilla dhe i fton sërish që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën, sjellje të pahijshme apo tejkalim të kompetencave të punonjësve të Policisë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm-tha policia.