Çfarë e bëri për të qarë Blendi Fevziun këtë herë në ekran?

Ngjarje të caktuara, nuk shkaktojnë emocione të forta vetëm tek njerëzit e zakonshëm, por edhe tek ata që menaxhimin e ndjesive e kanë pjesë të punës së tyre. Ata që bëjnë ekran, duket se janë sfiduar me lloj-lloj ngjarjesh ndaj kur shohim lot, nuk mund të mos na bëjnë përshtypje. Blendi Fevziu nuk e ka përmbajtur dot veten, kur ka folur mbi një video bullizuese që ka qarkulluar në internet ndaj emigrantëve të paligjshëm të ardhur nga Lindja e Mesme.

“T’i përçmosh, t’i tallësh, t’i bësh qesharak në rrjete sociale kjo nuk është as dinjitoze, as normale, as njerëzore e mbi të gjitha është racizëm i pastër dhe racizëm nga ata njerëz që e kanë vuajtur më shumë se çdo pjesë tjetër e Ballkanit racizmin”, u shpreh mes të tjerave Fevziu, i cili duke folur për atë që kishte ndodhur u përlot live.

Fevziu është ndër ata që ka udhëtuar i pari jashtë vendit në vitet 90’dhe i ka parë nga afër sesi trajtoheshin shqiptarët, ndaj emigracioni është një nga temat që ai e ka mjaft përzemër. Madje një roman të tij ai ia ka kushtuar pikërisht këtij fenomeni. Kjo nuk është hera e parë që ai preket në ekran dhe ne tani mësuam se kjo i ndodh me gjërat që ai i ka më përzemër./revistawho.com