Buta në debatin për muzikën e keqe: “Këngët e mia s’janë me i dëgju me nënën”

Politika e muzika ditët që lamë pas, kanë pasur përplasje të njëpasnjëshme publike. Gjithçka nisi kur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, tha se në Kosovë duhet të censurohen këngët të cilat e promovojnë drogën dhe dhunën. Dhe ai në këtë mes e citoi këngëtaren Tayana, si njëra ndër ato protagoniste të skenës muzikore, që iu këndon këtyre fenomeneve. Mirëpo në dy ditët e fundit, krejt kjo çështje u shndërrua në debatin kryesor në vend dhe këngëtarja po ashtu ka reaguar duke thënë se nuk ka për qëllim që me muzikën e saj të promovojë këtë stil jetese, por përkundrazi, i hedh në pah të metat, shkruan Prive. Ndërsa tani ka reaguar edhe reperi Buta, duke thënë se në emisionin “Rubikon” në KTV, ai nuk u citua drejt me muzikën e tij dhe se muzika që ai bën, nuk është për televizione dhe as muzikë e cila dëgjohet me familje.