“Britmat e fundit të 35-vjeçares”, flasin fqinjët e gruas që dyshohet se u vra nga burri shqiptar

Avni Meçja u vetëdorëzua në policinë italiane pasi kërkohej si person i dyshuar për vrasjen e gruas së tij rumune Alexandra Mocanu 35 vjeç, krim i ndodhur në Bolzano të Italisë gjatë fundjavës.

Trupi i pajetë i gruas u zbulua të dielën nga policia brenda apartamentit të saj, por dyshohet se 35-vjeçarja mund të jetë vrarë të shtunën.

Sipas fqinjëve të çiftit, të cilët kanë folur për policinë italiane, shqiptari dhe gruaja e tij rumune ziheshin shpesh. Dhe të bërtiturat e fundit që ata kanë dëgjuar kanë qenë pikërisht ditën e shtunë.

“Dëgjuam të bërtitura të tyre si shumë herë të tjera, rreth orës 21:30. Pastaj rreth 1 orë më vonë dëgjuam zhurma të sirtarëve që hapeshin dhe mbylleshin me forcë dhe me nxitim. Më pas nuk dëgjuam asgjë më shumë, heshtje absolute, deri të dielën kur u zbulua trupi”, thonë fqinjët.

Pikërisht kjo është edhe koha kur policia italiane mendon se Avni Meçja ka vrarë gruan e tij. Dyshohet se 35-vjeçarja u qëllua me një send të fortë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja përse dëgjohej zhurma e hapjes së sirtarëve nga banesa e çiftit, teksa shqiptari mund të ketë qenë duke kërkuar një objekt të fortë për të goditur gruan.

Policia italiane nuk e ka gjetur ende armën e krimit.

Pas ngjarjes, shqiptari mori makinën e gruas dhe u arratis. Ai kishte njoftuar vetëm vëllain e tij që jeton në Itali por në një tjetër rajon, të cilit i thoshte se e kërkonin dhe duhej të largohej. Por ky i fundit njoftoi policinë për të shkuar dhe për të parë çfarë ndodhte në banesën e çiftit.

Autoritetet zbuluan aty trupin e pajetë të 35-vjeçares rumune, e mbështjellë me batanije. Burri i saj shqiptar, Avni Meçja u shpall në kërkim që atë moment si person i dyshuar. Por pas disa orësh, të hënën, ai u dorëzua vetë në polici. /tvklan.al