Brigitte Bardot bezdiset nga fakti që bota ende interesohet për të

Ajo është një nga yjet më të njohur të kinemasë, por, pasi kanë kaluar dekada që nga filmi i fundit, Brigitte Bardot nuk mund ta kuptojë pse dikush është ende i interesuar për jetën e saj.

Bardot shprehu zhgënjimin e saj në një letër drejtuar regjisores së nominuar për Oscar, Danièle Thompson, skenaristes dhe regjisores së serialit të ri dramatik mbi jetën e Bardot.

Regjisorja zbuloi për Guardian se pasi e kontaktoi për herë të parë Bardot pesë vjet më parë në lidhje me projektin, ajo iu përgjigj me një letër të gjatë ku shkruante për habinë e saj se sa të interesuar ishin njerëzit për të.

“Dua të mbetem vetëm, nuk e kuptoj pse e gjithë bota ende flet për mua, unë kam ndaluar së qeni në filma vite më parë dhe dua të kujdesem për kauzën time të kafshëve,” shkruante ish-aktorja, e cila është aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve.

Por, Bardot shkroi se “përderisa unë e di se sëriali do të bëhet gjithsesi, preferoj që të jeni ju që e bëni,” tha Thompson, duke perifrazuar letrën. Ajo shtoi: “Nuk mund të them se ishte e emocionuar. Sigurisht që jo.”

Bardot u rebelua kundër edukimit të saj të rreptë dhe u bë një seks simbol global dhe ndihmoi në fillimin e një revolucioni seksual mbarëbotëror pas publikimit të filmit të vitit 1956 “And God Created Woman”. Revolucioni seksual ishte një lëvizje shoqërore që sfidoi kodet tradicionale të sjelljes në lidhje me seksualitetin dhe marrëdhëniet ndërpersonale në të gjithë botën e zhvilluar perëndimore në vitet 1960 deri në vitet 1970.

“Edhe pse e gjithë bota e njeh ‘BB’, pakkush e di për jetën personale të gruas së re që qëndron pas mitit,” shtoi regjisorja Thompson.

“Më shumë se aktoret e tjera të mëdha të brezit të saj, Bardot dinte të thyente tabutë dhe të ndryshonte imazhin e grave në shoqërinë e kohës së saj.”

Anabelmagazine