“Beteja e fundit” në Kupën e Mbretit: Barcelona sfidon Real Madrid, sot caktohet finalisti

Nga Hergi Llupi

Armiqtë e njohur të “El Clasico”, Barcelona dhe Real Madrid takohen për herë të pestë këtë sezon në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit në Camp Nou sot në mbrëmje.

Katalanasit fituan ndeshjen e parë në “Santiago Bernabeu” me rezultatin minimal 0-1 muajin e kaluar. Shpesh heroi i Real Madrid ka qenë mbrojtësi Militao, por në aktin e parë të kësaj gjysmëfinaleje ishte ai që shënoi një autogol dhe bëri që Barcelona të vendosë njërën këmbë në finalen e këtij turneu.

Real Madrid nuk do ta ketë shumë të lehtë në Camp Nou sot në mbrëmje, por “Los Blancos” kanë treguar shpesh që janë të aftë të kryejnë përmbysje të mëdha rezultatesh kur bëhet fjalë për një turne të rëndësishëm. Skuadra e Ancelottit ka qenë në një konfuzion këtë gjysmë të dytë sezoni me rezultatet e tyre të cilat kanqë qenë me ulje dhe ngritje. Në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, Real Madrid ka mundur të marrë 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Fitorja e tyre e fundit në fundjavë me rezultatin e thellë 6-0 ishte një shenjë për t’i treguar rivalëve të tyre se ata janë gati për këtë përballje të “El Clasico”.

Nga ana tjetër, Barcelona ka një seri të mahnitshme në pesë ndeshjet e fundit, të cilat të pesta janë fitore. Ashtu sikur Reali, Barcelona tregoi këtë fundjavë në fitoren 0-4 në fushën e Elche se sfida e së mërkurës nuk do të jetë e lehtë për rivalët.

Barcelona do të futet sot në fushë me disa mungesa të rëndësishme si Christensen, Dembele, Pedri dhe De Jong, ndërsa Reali nuk do të ketë në dispozicion Mendy.

Një statistikë interesante të 6 “El Clasico-ve” të fundit tregonë se Barcelona është superiore ndaj Real Madrid. Në këto 6 përballje të fundit, Barcelona ka arritur të fitojë 5 herë, ndërsa Rael Madrid vetëm 1 “El Clasico” që nga 16 tetori i vitit të kaluar.

Kjo ndeshje e sotme, ashtu si të gjithë herët e tjera, pritet të dhurojë spektakël, emocione dhe përplasje mes lojtarëve. Finalisti i cili do të zbulohet mbrëmjen e sotme do të gjejë në finale Osasunën.

Barcelona pritet që sot të startojë me Ter Stegen në portë dhe përpara tij në vijën e mbrojtjes Kounde, Araujo, Alonso dhe Balde. Mesfusha pritet të përbëhet nga Kessie, Busquets dhe Gavi, ndërsa sulmi me Raphinha, Lewandowski dhe Ansu Fati.

Real Madrid nga ana tjetër do të startojë me Courtois në portë dhe vija e mbrojtjes do të përbëhet me shumë mundësi nga Vazquez, Militao, Nacho dhe Alaba. Mesfusha mendohet të përbëhet nga Kroos, Tchouameni dhe Modric, ndërsa sulmi me Valverde, Benzema dhe Vinicius Jr.

Formacionet e mundshme:

Formacioni i mundshëmi Barcelonës:

Ter Stegen; Kounde, Araujo, Alonso, Balde; Kessie, Busquets, Gavi; Raphinha, Lewandowski, Fati

Formacioni i mundshëm i Real Madrid:

Courtois; Vazquez, Militao, Nacho, Alaba; Kroos, Tchouameni, Modric; Valverde, Benzema, Vinicius Jr/ h.ll/abcnews.al