Bëni kujdes! Argumentet mjekësore pse s’duhet t’i shihni simptomat e sëmundjeve në internet, për të diagnostikuar apo trajtuar veten

Nga Anisa Liço

Mjeke e specializuar në Kirurgjinë e Përgjithshme, aktualisht jeton dhe studion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Informacionet e marra nga interneti për simptomat dhe sëmundjet e ndryshme, padyshim që ndikojnë në sjelljen dhe vendimet e pacientëve në lidhje me shëndetin. Së bashku me popullarizimin e internetit, kërkesa për shërbime elektronike të shëndetit po rritet gjithashtu. Objektet e e-shëndetit si faqja e internetit e zyrës së mjekut dhe mundësia për të caktuar një takim ose për të ndryshuar datën e tij nëpërmjet internetit janë të rëndësishme për pacientët, veçanërisht kur zgjedhin një mjek të ri. Ndër sjelljet e vetë raportuara pro-shëndetit dhe vendimet shëndetësore, pacientët janë më të gatshëm të ndryshojnë dietën e tyre, dhe të rrisin aktivitetin e shëndetshëm fizik nën ndikimin e internetit. Pacientët po ashtu më shpesh caktojnë një takim për të parë një mjek dhe bëjnë pyetje në lidhje me diagnozën ose trajtimin e sëmundjeve të caktuara. Sipas sondazhit për vitin 2020, i cili shqyrtoi se kush kishte më shumë gjasa të kërkonte informacion shëndetësor në internet, kërkuesit më të zakonshëm rezultuan:

• Raca e bardhë

• Femrat

• Të punësuar

• Të arsimuar

• Persona nga mosha

35 deri në 64 vjeç

Të informuar më mirë dhe me njohuritë e mbledhura para vizitës, pacientët janë më të përgatitur për vizitën dhe më shpesh bëjnë pyetjet e duhura dhe kritike gjatë vizitës tek mjeku. Informacioni shëndetësor në internet përdoret më së miri për:

• Të mësuar më shumë rreth diagnozës tuaj sesa mjeku juaj ka kohë t’ju shpjegojë.

• T’ju drejtuar drejt opsioneve të trajtimit që mund të dëshironi të diskutoni me mjekun tuaj, sidomos kur bëhet fjalë për ndërhyrjet estetike dhe kirurgjinë plastike.

• Të gjetur mbështetje nga njerëz të tjerë me të njëjtën patologji kronike si tuajën. Nga ana tjetër, pacientët shpesh gjejnë informacion në burime jo të besueshme, gjë që i bën ata të kërkojnë diagnostikim dhe trajtim joadekuat nga mjeku i tyre. Kështu, interneti mund të jetë ose shumë i dobishëm kur ofron informacion thelbësor si për pacientët ashtu edhe për mjekët, por mund të jetë dhe dëmtues nëse përdoret gabimisht.

Një sërë rreziqesh mund të lindin kur informacioni mjekësor i marrë në internet përdoret për të diagnostikuar ose trajtuar veten:

• Siguri e tepruar: Mund të bindesh për një vetë-diagnozë dhe më pas ta kesh të vështire të besosh një diagnozë tjetër të vendosur nga mjeku.

• Ankth apo shqetësim i panevojshëm: Disa simptoma mund të jenë totalisht normale për një gjendje shëndetsore apo një moshë të caktuar, pjesë e një sëmundje kalimtare apo vërtet jetëkërcënuese. Është e lehtë për t’u lidhur me skenarin më të keq, i cili zakonisht nuk është i saktë.

• Teste të panevojshme: Mund të shqetësoheni tepër për një diagnozë të caktuar dhe të këmbëngulni në teste, që mjeku juaj e di që nuk ju nevojiten, duke çuar në humbje kohe dhe shpenzime të panevojshme financiare.

• Burime jo të besueshme: Çdokush mund të postojë në internet. Informacioni mund të jetë i pasaktë apo edhe qëllimisht manipulues.

• Paragjykimi i konfirmimit: Pavarësisht nëse jeni i shqetësuar se simptomat janë serioze, ose jeni i sigurt se simptomat tuaja nuk do të thonë asgjë, ndoshta mund të gjeni një faqe interneti për të rënë dakord me ju.

• Trajtime të rrezikshme: Trajtimi i vetes mund të çojë në dëmtime serioze nga efektet anësore, mbidoza, ndërveprimet e rrezikshme të barnave ose marrja e një medikamenti të këshilluar në mënyre jo korrekte për shkak të historisë suaj mjekësore. Sa herë që dëshironi të ndryshoni regjimin tuaj të trajtimit, duhet të flisni me mjekun tuaj.

Kjo vlen për medikamente, suplemente dhe trajtime alternative. Rreziqet e ardhura si pasojë e përdorimit të informacionit shëndetësor nga pacientët ka qenë objekt i shumë studimeve.

Sipas artikullit të publikuar në vitin 2018, nga “AMA Journal of Ethics” në lidhje me studimin në Mbretërinë e Bashkuar, informacioni në internet mbi rinoplastikën, një nga procedurat kirurgjikale më të zakonshme të kryera, u zbulua se ishte përgjithësisht i cilësisë së ulët, i pabesueshëm dhe i vështirë për t’u lexuar në bazë të masave objektive.

Një studim tjetër shqyrtoi prezantimin e informacionit shëndetësor në internet në artikujt e gazetave të SHBA dhe Britanisë së Madhe rreth shëndetit, shumica e të cilëve iu referuan një faqeje interneti. Koduesit vlerësuan 47% të artikujve si cilësi të shkëlqyera, 33% si cilësi mesatare ose të mirë dhe 20% si cilësi të dobët.

Këto shifra janë tregues të rëndësisë së burimit të informacionit shëndetësor të marrë në internet dhe të kujdesit që pacientët duhet të tregojnë përpara se ta besojnë verbërisht atë informacion dhe aq më tepër të vendosin të vetë kurohen mbi bazë të atij informacion dhe aq me tepër të kurojnë të tjerët, që mesa duket kjo e fundit po kthehet në një trend gjithnjë e në rritje.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara në Dhjetor të vitit 2019 nga “Internet Statistics and Facts”, gjatë dhjetë viteve të fundit, me zhvillimin e një mjeti të fuqishëm si interneti, ashtu edhe aksesi në të kanë evoluar shumë shpejt. Në fund të vitit 2017 në botë kishte rreth 3.7 miliardë përdorues të internetit.

Në dhjetor 2018, ky numër u rrit në 4.1 miliardë. Me shfaqjen e mundësive të reja, kanë ndryshuar edhe nevojat e shoqërisë. Njerëzit përdorin internetin për qëllime shëndetësore dhe kërkojnë akses në ëebsit-e me artikuj shëndetësorë më shpesh se më parë. Duke u bazuar tek te dhënat e studimit të publikuar në Dhjetor të vitit 2014 nga BMC Public Health, në vitin 2012, rreth 72% e të rriturve, përdorues të internetit në SHBA kërkuan në internet për informacion shëndetësor. Shumica e përdoruesve (77%) filluan kërkimet e tyre duke përdorur Google Search; vetëm 13% kërkuan në ëebsite të specializuara shëndetësore, si; WebMD, Google Scholar, etj. Prandaj janë ngritur shqetësime në lidhje me aftësitë e njerëzve për të kërkuar në mënyrë efektive informacionin, për të kuptuar atë që gjejnë dhe për të përballuar volumin dhe cilësinë e ndryshueshme të informacionit./www.story.al