Ashensori i mori jetën kamarierit, arrestohet pronari i “Orange” në Sarandë

Është vënë në prangat e policisë pronari i klubit “Orange” në qytetin e Sarandës, Spiro Iljadhi.

Bëhet me dije se Iljadhi është arrestuar nga policia kufitare në Doganën e Qafë Botës, pasi ndaj tij është dhënë masa arrest me burg për “shkeljen e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Kamarieri 17-vjeçar Antonio Deliaj humbi tragjikisht jetën një muaj më parë, pasi e zuri poshtë një ashensor që përdorej për transportimin e mallrave të lokalit nga depoja.

Njoftimi i Policisë:

Kapet dhe vihet në pranga pronari i lokalit ku një muaj më parë, për shkak të këputjes së kavos së ashensorit, humbi jetën një 17-vjeçar i punësuar në këtë lokal.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Botë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për goditjen e krimeve kufitare dhe kapjen e shtetasve në kërkim, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin në kërkim S. I., 37 vjeç, banues në Sarandë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi më datë 26.08.2023, në lokalin në pronësi të tij, për shkak të këputjes së kavos së ashensorit, humbi jetën një 17-vjeçar i punësuar në këtë lokal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.