Artisti i shquar Avni Mula sot mbush 92 vjeç – Ja si e uron e bija Inva Mula!

Kompozitori i shquar shqiptar, Avni Mula feston sot 92-të vjetorin e lindjes.

Avni Mula është Artist i Popullit dhe Nderi i Kombit.

Ai ka lindur  në Gjakovë në 4 janar të 1928, në një familje ku ishte i shtati fëmijë, më i vogli mes tre djemve dhe vajzave në atë familje.

Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës(1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik, bariton.

Gjatë studimeve ai u njoh dhe u martua me sopranon ruse Nina Mula me të cilën kaloi një jetë të mrekullueshme.

Familja Mula është një nga Familjet e Mëdha të Artistëve shqiptarë, ku të gjithë anëtarët e familjes janë artistë: Avni Mula, Nina Mula dhe dy vajzat, Adelina Mula, pianiste dhe Inva Mula, me famë botërore.

Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës, etj.

Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.

Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Me rastin e ditës të lindjes, si çdo vit, Inva Mula e uron të jatin përmes rrjetit social në mënyrë shumë speciale:

“Happy birthday to my 29 years old Hero !” – “Ditëlindje të lumtur Heroi im 29 vjeçar” – duke e numëruar ditëlindjen e 92-të mbrapsht!

Inva Mula sonte do të japë shfaqje në Gstaad.

“Prandaj nuk jam sonte të festoj me të”, thotë ajo për voal.ch “por do të këndoj për të”.

Edhe voal.ch bashkohet me Invën dhe i uron Artistit të shquar shqiptar Avni Mula të festojë edhe shumë e shumë ditëlindje të tjera!

0B82563A-C041-468A-8542-AE4A50F4D467