“Arktiku i errët”, supremacia ruse në Polin e Veriut

– Që nga viti 2005, Rusia ka rihapur dhjetëra baza ushtarake të epokës sovjetike në Arktik, ka modernizuar marinën e saj, si dhe ka zhvilluar raketa të reja hipersonike të dizajnuara për t’iu shmangur sensorëve dhe mbrojtjes amerikane.

– Zona të tëra në Arktik janë të arritshme vetëm gjatë muajve të verës, kur akulli shkrihet, duke hapur mundësi e rrugë të reja.

– Në përdorim janë vetëm disa rrugë detare. Njëra rrugë kalon përgjatë bregut verior të Rusisë nga Deti Bering deri në Detin Barents. Rusia synon ta zhvillojë edhe më shumë këtë rrugë për dërgesat që vijnë nga Azia në Evropë. Ndërsa në Pasazhin Veriperëndimor, në anën tjetër, udhëtohet më rrallë.

– Burimet e mëdha të naftës dhe të gazit gjenden në rajonet ruse të Arktikut, ku përfshihet edhe një fabrikë e gazit natyror të lëngshëm në Gadishullin Yamal. Rruga më e shkurtër ajrore për raketat ose bombarduesit rusë drejt Amerikës së Veriut, do të ishte mbi Polin e Veriut. Ujërat midis Groenlandës, Islandës dhe Britanisë së Madhe (hendeku GIUK) janë e vetmja mënyrë që anijet me bazë në veri të Rusisë mund të arrijnë në Atlantik.

– Për aleatët e NATO-s, hendeku GIUK është vendimtar për lidhjet në të gjithë Atlantikun e Veriut. Nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen Aleancës, shtatë nga tetë vende të Arktikut do të jenë anëtarë.

– Sipas, Andrew Lewis, ish-komandant i Task Forcës së Përbashkët të NATO-s, në rrezik aktualisht janë edhe kabllot e komunikimit, si dhe sistemet satelitore duke përfshirë sistemin e pozicionimit global (GPS).

– Rusia ka investuar shumë në porte, infrastrukturë dhe anije për të zhvilluar dhe mbrojtur Rrugën e Arktikut. Vitin e kaluar, ajo përmirësoi Flotën Veriore për ta bërë atë distriktin e pestë ushtarak të vendit.

– Një varg vijash ajrore të reja dhe të përmirësuara që nga epoka sovjetike përgjatë bregut verior të Rusisë, ka rritur mundësitë e Rusisë për të operuar në Arktik. Në mars 2021, avionët luftarakë MiG-31 bënë një fluturim demonstrues nga Nagurskoye, baza më veriore në Polin e Veriut.

– Rusia gjithashtu ka më shumë baza të forcave tokësore sesa NATO brenda Rrethit Arktik.

– Sipas IISS, disa baza jooperative nga të dyja palët mund të strehojnë asete ushtarake në të ardhmen. Shumica prej tyre janë në anën ruse.

Stacioni më i madh satelitor në botë, në arkipelagun Svalbard të Norvegjisë, përdoret nga agjencitë perëndimore për të mbledhur sinjale nga satelitët në orbitën polare. Këtë janar, një nga dy kabllot me fibra optike në shtratin e detit Arktik që lidh Svalbardin me kontinentin u shkëput dhe Norvegjia u detyrua të mbështetej te një lidhje rezervë.

Në prill të vitit 2021, një kabllo tjetër u hoq, ndërsa disa muaj më vonë, rrjedhje të mëdha pati në tubacionet e gazit në dyshemenë e Detit Baltik dhe dyshimet mbi këtë ngjarje ranë mbi Rusinë.

Pushtimi rus i Ukrainës i dha fund një epoke tensioni dhe bashkëpunimi të dobët pas Luftës së Ftohtë, duke nxjerrë në pah se sa e vështirë është për shtetet të monitorojnë ujërat e tyre, veçanërisht në Arktik. Gjatë viteve të fundit, aleatët e NATO-s dhe Rusia kanë shtuar stërvitjet ushtarake në rajon. Luftanijet kineze dhe ruse kryen një stërvitje të përbashkët në Detin Bering në shtator, ndërsa Norvegjia ngriti nivelin e gatishmërisë ushtarake në tetor.

Sipas ekspertëve, Perëndimit do t’i duheshin të paktën 10 vjet për të arritur ushtrinë ruse në Arktik, nëse do të vendoste ta bënte këtë. “Arktiku është aktualisht një zonë e errët në hartë. Është kaq e gjerë dhe me pak burime të mbikëqyrjes civile”, thotë Ketil Olsen, ish-përfaqësues ushtarak i Norvegjisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë, temperaturat në rritje po krijojnë probleme për një pjesë të infrastrukturës ushtarake amerikane të ndërtuar mbi themele të përhershme të ngrira, të cilat tani po shkrihen.

Në korrik, presidenti Vladimir Putin nisi një strategji të re detare duke u zotuar se do të mbronte ujërat e Arktikut “me çdo mjet”. Rusia zakonisht teston parandalimin e saj bërthamor në Arktik në vjeshtë. Këtë vit, kjo ndodhi më 19 shkurt, pesë ditë para pushtimit të Ukrainës. Sipas të dhënave të përpiluara nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), bazat e Rusisë brenda Rrethit Arktik tejkalojnë ato të NATO-s me rreth një të tretën. Rusia ka 11 nëndetëse të afta të lëshojnë armë bërthamore me rreze të gjatë, tetë prej tyre në Arktik. NATO ka 22 mes Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Britanisë së Madhe.

Gjithashtu, flota ruse e akullthyesve është shumë më e madhe se ajo e kombeve të tjera. Të dhënat zyrtare tregojnë se ka shtatë akullthyeseve me energji bërthamore dhe rreth 30 me naftë. Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë secila dy akullthyese me naftë në funksion.

Për dekada të tëra, aleatët e NATO-s qëndruan në besimin se konfliktet me Rusinë nuk do të nisnin ndonjëherë, ndaj buxheti i përgjithshëm i mbrojtjes dhe investimet në pajisjet ushtarake, shpesh konsideroheshin të tepërta. Sot, NATO dhe aleatët e Arktikut po ndryshojnë qëndrimin e tyre, duke rritur ndjeshëm shpenzimet dhe forcat ushtarake.