Arbana tregon çiftin e BB që i ka bërë më shumë përshtypje: Histori si ajo e atyre dyve nuk do ketë më

Kur përmendim historitë që kanë lindur në Big Brother, të gjithë e mbajnë mend historinë që lindi mes Adelës dhe Bjordit.

Ata morën gjithë vëmendjen asokohe me puthjen e famshme teksa i ndiqnin mijëra njerëz. Historinë e tyre të dashurisë e ka kujtuar dhe Arbana Osmani, prezantuesja e Big Brother.

“Ishte një puthje e fshehtë. Ata ishin puthur duke menduar që ne nuk e dinin që ishin puthur. Ishte në një korridor të vogël para dhomës së rrëfimit. Ne menduam shumë nëse duhet ta transmetonim”, tha moderatorja për emisionin “Ëndërrtjerrësit”.

Arbana shtoi se emocionet që i kanë dhuruar ata publikut janë të pashlyeshme. “Unë nuk e di nëse do të ketë ndonjëherë në televizion një histori dashurie si ajo. Emocionuese ishte dhe për mënyrën si erdhi, për guximin. Adela ishte shumë vajza shqiptare, prandaj e donin”, shtoi më tej Arbana.

Kujtojmë që Adela ndërroi jetë pak vite më parë. Banorja e shumëpërfolur e Big Brother u gjet e vdekur në banesën e saj në kryeqytet.