Anxhela Peristeri flet pas kualifikimit në finalen e Eurovision: “Ndihem e lumtur, Shqipëria e meriton!”

Anxhela Peristeri ngriti “peshë” skenën e “Eurovision 2021” me këngën “Karma” dhe u kualifikua e para për në finalen e madhe. Këngëtarja shqiptare dhuroi një performancë të jashtëzakonshme dhe për asnjë moment nuk u lëkund përpara emocioneve të forta. Pas kualifikimit siç e do tradita, Anxhela i është përgjigjur tre pyetjeve, një nga gazetarët e vendit tonë, një nga mediat ndërkombëtare dhe ato online.

Ylli i muzikës u shpreh se ndjehehej e lumtur dhe mirënjohëse për shtetet europiane që e votuan dhe theksoi se Shqipëria e meriton kualifikimin pasi ka artistë shumë të mirë.

Pyetja e gazetares shqiptare:

Si ndihesh, pasi ishe e vetme në skenë dhe ja dole që e gjithë Europa të votojë për ty dhe Shqipëria të jetë në finalen e madhe?

Anxhela Peristeri: Nuk kam fjalë të përshkruaj ndjenjat e mia tani. Ishte mahnitëse, sepse isha e para dhe nuk e prisja këtë. I dua të gjithë shqiptarët që më votuan, të gjithë shtetet europiane, jam shumë mirënjohëse. Ndihem shumë e lumtur tani. Faleminderit!

Mediat ndërkombëtare:

Si është “Karma” jote tani?

Anxhela Peristeri: E dua “Karmën” time, do të jem një njeri i mirë për pjesën e mbetur të jetës…

Ndërsa nga gazetarët e mediave online pyetja ishte: Si ndihesh tani që Shqipëria është për herë të tretë radhazi në finalen e madhe të “Eurovision”?

Anxhela Peristeri: Ndihem e lumtur, sepse Shqipëria e meriton, jemi një vend i vogël, por kemi artistë shumë të mirë. Të gjithë duhet ta njohin vendin tonë dhe muzikën tonë. /News31