Skuadra greke hap “thesin” për Sadikun, bomberin e Kombëtares e konsiderojnë si shpëtim për sulmin

Armando Sadiku shënoi 13 herë në Ligën e Dytë spanjolle. Kaq ka mjaftuar që emri i tij të shihet si zgjidhje për shumë skuadra që janë vënë në ndjekje të bomberit të Kombëtares. Së fundmi, emri i tij po bëhet gjithnjë e më shumë i lakuar në Greqi. Skuadra e Arisit është një ndër më të interesuarat për Sadikun dhe po negocion në vazhdimësi.

SAKRIFICA

Për Armando Sadikun, CV-ja është më se e qartë që ai i plotëson të gjitha kërkesat e Arisit. Një sulmues që mund të marrë përsipër peshën e sulmit për të plotësuar kërkesat dhe nevojat e ekipit grek. Mirëpo, për të bërë të mundur transferimin e sulmuesit të Kombëtares në shtetin helen, nevojitet një sakrificë financiare.

Së pari ajo për pagën, rreth 500 mijë euro për bomberin shqiptar dhe së dyti një sakrificë financiare për të kënaqur arkat e Levantes, e cila ka investuar për të blerë kartonin e tij. Nga ajo që bëhet me dije në mediat greke, presidenti i skuadrës së Arisit është i gatshëm që të bëjë një sakrificë financiare për bomberin e skuadrës. E teksa Sadiku përmbush të gjitha kërkesat e klubit helen, pritet që numri një i ekipit të mos kursehet për të bërë të mundur transferimin e 29-vjeçarit në ekipin e tij.

SHQIPTARËT

Më parë pjesë e kësaj skuadre kanë qenë dy lojtarët e Kombëtares, Migjen Basha si dhe Mërgim Mavraj. Më herët, për thuajse 11 vite, një tjetër ish-lojtar i Kombëtares ka qenë pjesë e skuadrës helene. Kristi Vangjeli, që nga ekipet e të rinjve ka qenë për më shumë se një dekadë pjesë e këtij ekipi. Mbrojtësi që u shpall kampion me ekipin e Tiranës ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij me skuadrën e Arisit në Selanik. Së fundmi, edhe Fjorin Durmishaj ka qenë pjesë e këtij ekipi. Mbetet për t’u parë nëse ky interesim i Arisit do të konkretizohet me një ofertë bindëse për Levanten dhe vetë sulmuesin e Kombëtares.

OLSI TUJANI/ Panorama Sport