Endri Prifti: “Në ‘Kënga Magjike’ i këndojmë me zemër në dorë realitetit shqiptar”

Klotilda Harka/ Dy baballarë që u këndojnë bijve të tyre plot dashuri e dhimbje, nëpërmjet vargjeve të ndjera të Pandi Laços. Vëllezërit e famshëm Endri dhe Stefi Prifti nxorën për herë të parë në skenë dashuritë e tyre, violinën dhe kitarën, për t’i pasur si shoqëruese në interpretimin e këngës “Zemra ime është gjallë”, një thirrje ekzistencialiste dedikuar shpirtit e tokës ku je lindur. 

Për garën në “Kënga Magjike”, jetën si artist i vërtetë, paratë dhe famën, Endri i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

“Zemra ime është gjallë” titullohet kënga juaj e re në “Kënga Magjike”, që na bëri të gjithëve të reflektojmë.

Endri-1

Kjo është kënga që paralajmëron ikjen nga ky vend, apo vulos vendimin për të mos u larguar? 

Te kjo këngë kaq e bukur dhe kaq reale janë tri tema brenda saj. E para, marrëdhënia e prindit me fëmijën. Kur themi ‘Biri im’, çdo prind i drejtohet vajzës ose djalit të tij, pra dashuria e prindit për fëmijët. E dyta, aktualiteti ku jetojmë sot, emigrimi, vuajtjet e familjeve që iu ikin fëmijët në emigrim dhe e treta, dashuria që duhet të kemi për atdheun, vendlindjen. Pra, fjalët e të madhit Pandi Laço flasin vetë: “Nëse vendos që këtu nuk do të kthehesh, Jo mos thuaj ti kurrë! Malli i çmendur do të të shpojë ty në zemër, për çdo fjalë e çdo gur. Sado jeta për ty t’i hapë krahët, kam dy fjalë unë si prind. Mos harro se më bukur s’do gjesh, në vendin tënd dielli lind”. S’kam ç’them më shumë, muzikë dhe tekst që do rezistojë përjetësisht.

Endri-3

Ishin vargjet që kërkuan muzikën, apo muzika i thirri këto vargje? 

Në fakt, u shkrua muzika e para dhe u ideua për këtë realitet. Vargjet e para që ka lindur kjo vepër i shkrova unë, duke kompozuar këtë këngë. Fundin e këngës: “Lotin e jetës, askush s’e ndal, Lirinë dhe shpresën askush s’ta fal, dhembjet e mia, dëshpërimin tim”. Deri këtu i kam shkruar unë, pastaj e mori ai njeri që për mua është shumë, shumë i veçantë me penën e tij. Ai është magji për mua. Pandi Laço, you are the best!

Bëri përshtypje dalja juaj skenike ndryshe nga më parë, ti me kitarë dhe Stefi me violinë. Pse kjo zgjedhje, mund të quhet kjo performanca e jetës suaj? 

Jeta jonë kështu ka qenë gjithmonë. Në këtë mënyrë u shkrua dhe u ideua kënga, kishim shumë vite që nuk dilnim në skenë kështu. Madje, në televizionet shqiptare s’kemi dalë asnjëherë, ndaj dhe thamë pse t’i fshehim ato 12 vjet unë shkollë muzike dhe 18 vitet e Stefit, studim shkolle muzike. Pra, nuk mjafton vetëm talenti, duhet edhe shkolla për të arritur sa më lart.

Endri-4

Kujtojmë që nga kjo garë ju mbeteni gjithmonë të zhgënjyer nga votat e kolegëve. Këtë edicion e pretendoni fitoren? 

Ne nuk mbetemi të zhgënjyer. E dimë shumë mirë se ç’ndodh aty dhe ne duam të jemi pranë publikut tonë. Pastaj, kjo që juve ju duket zhgënjim… jo, është ajo që ne do t’ia themi në sy çdokujt padrejtësitë që ndodhin aty. Ne jemi të vërtetë dhe duam që të gjithë të ndihen të vërtetë.

Dy vëllezër të pandarë në skenë nga njëri-tjetri. Edhe pse e bëni jetën si shpirtra të lirë, sa ikja e kohës nuk ju kushtëzon për asgjë, si e përjetoni rritjen e fëmijëve? 

Rritja e fëmijëve tanë është e vetmja gjë që më lajmëron se vitet ikin, kalojnë… Kur festojmë ditëlindjet e tyre, kuptoj se kaloi edhe një vit, se të ishte për mua do të mbetesha gjithmonë 25.

Endri-5

Gjatë performancës suaj të parë në “Kënga Magjike”, Ardit Gjebrea ndaloi te martesa e vajzës së Stefit dhe mesazhi i djalit tënd që të pyeste se ç’do bësh për dasmën e tij. Çfarë do t’u këshilloje dy djemve në lidhje me dashurinë e martesën? 

Arditin e falënderoj që na do e na nxori edhe pyetje të fëmijëve tek emisioni. Por unë djemkave të mi u uroj vetëm të kenë shëndet, se për të tjerat janë të vegjël, ka kohë. E babin do ta kenë gjithmonë me vete.

Endri-6

Të jesh artist që të qan shpirti në skenë është torturë në vetvete, apo katarsis që të pastron shpirtin?

Skena për mua është ilaçi i shpirtit. Kur këndoj është gjysma e jetës sime, gëzoj dhe harroj gjithçka. Patjetër që ka lodhje të paimagjinueshme, kur bëhet fjalë për artistë të vërtetë e jo për këto laraskat që nxjerrin ulluqet dhe kujtojnë se janë këngëtare. (Qesh) Epo ç’të bëj unë, do flas se s’të lini rehat ju. Janë bërë këngëtarët si minatorët. Arti është diçka e rrallë dhe e bukur, nuk duhet të ngatërrojmë artin kaq thjesht, vetëm për arsye personale shumica. Në këtë festival, deri tani ka pasur këngë të bukura dhe fatmirësisht, të gjithë këndojnë. U uroj suksese të gjithëve dhe kush e ka pasion muzikën dhe e ëndërron çdo ditë, me punë e duke studiuar do t’ia dalë për atë që dëshiron.

Endri-7

Muzika, sukesesi e fama, në fund të fundit përkthehen në para. Si do ta përkufizoje paranë në duart e tua? 

Paratë për mua janë thjesht kartëmonedha që duhet t’i kesh patjetër sot. Unë nuk kam, por nuk më mbarohen asnjëherë. Çfarëdo që të më duhet e marr, çfarëdo ushqimi që dua ta shijoj e marr, ku të më duket vendi më i bukur mund të shkoj direkt. Të kemi shëndetin se paratë tona janë veprat tona muzikore, që do t’ju shoqërojnë në çdo hap, gëzim dhe hidhërim të jetës. Dhe siç e dini e siç bëj gjithmonë, së fundmi ju uroj të gjithëve shëndet e vetëm të mira!

Endri-2