“TAKIMET ME NJERËZIT NUK MË JAPIN KËNAQËSI”, SHKRIMTARI NORVEGJEZ, JON FOSSE, REFUZON INTERVISTAT
Shkrimtari norvegjez, Jon Fosse fitoi së fundmi çmimin Nobel në Letërsi. Në dhënien e motivacionit, Akademia Suedeze njoftoi: Fosse e fitoi çmimin për dramat dhe prozën e tij novatore, që u japin zë të pathënave!
I përshkruar nga kjo akademi si një nga dramaturgët më të njohur dhe më të interpretuar të kohës sonë, gjithashtu, ai është i vlerësuar për prozën e tij.
Së fundmi Fosse, ka anuluar konferencën e tij për shtyp për ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 10 dhjetor. Fosse shkroi në një email për gazetën norvegjeze VG se ai kishte refuzuar të gjitha propozimet nga programi, pjesëmarrja e të cilit nuk është e detyrueshme për fituesit e çmimit Nobel për Letërsinë.
Akademia Suedeze kishte njoftuar se ai nuk duhej të mbante konferencë për shtyp sepse kishte dhënë shumë intervista. Fondacioni Nobel njoftoi se të gjitha intervistat e mëtejshme me Fosse gjithashtu ishin anuluar. Ai tha se tashmë mezi pret më shumë momentin e ndarjes së çmimeve.
“Takimet e zgjeruara me njerëzit nuk më japin kënaqësi, përkundrazi”, është shprehur shkrimtari.
Zëdhënësja Rebecka Oxelström tha se pika e vetme e rendit të ditës që Fosse duhej të plotësonte si fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë ishte leksioni, të cilin ai do ta mbajë më 7 dhjetor.
Shkrimtar, poet dhe dramaturg, Jon Fosse u lind në Haugesund në vitin 1959. Veprat e tij më të arrira janë “Natta syng sine songar” (“Dhe nata këndon”), “Eg er vinden” (“Unë jam era”) deri te më e fundit “Morgon og kveld” (“Mëngjes dhe mbrëmje”). Ai është Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës të Republikës Franceze që nga viti 2007./Top Channel
ObserverKult