21 vite pa shkrimtarin Teodor Keko: Disa nga poezitë e tij të paharrueshme

Teodor Keko është ndër poetët më të njohur të letërsisë shqiptare. Ai ka lindur më 2 shtator të vitit 1958 në Tiranë dhe ishte shkrimtar dhe publicist.

Keko kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Fillimisht, ai punoi si gazetar në gazetën letrare “Drita”, më pas në të përditshmen “Koha jonë”, e më vonë, si redaktor në gazetën “Aleanca”.

Për një periudhë kohe, Teodor Keko ka qenë anëtar i Parlamentit shqiptar. Në vitin 1996, i zhgënjyer, ai largohet përfundimisht nga politika dhe vendos të kontribuojë në demokratizimin e jetës si intelektual përmes fjalës në shtypin e shkruar. Teodor Keko i filloi publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në zhanre të ndryshme, si poezi, dramë, novelë dhe tregime të shkurtra.

Fatkqësisht, ai u nda nga jeta më 20 gusht të vitit 2002.

Më poshtë, do të gjeni disa nga poezitë e tij:

Nëna dhe djali

Na ish një nënë dhe kish një djalë,
Nje djalë të lig, veç për të këqija.
Të gjithë uronin të vdiste sa më parë,
Dhe nëna e tij, mbushej me thinja.

E luste të birin të kthente udhë,
Se dita ikën o bir, e s’të fal, kurrë.
Se nuk është nënë aq e urtë, o shpirt,
Dhe nuk është nënë, o zemër që të fal.
E fliste, i fliste, por ishte e kotë,
I biri e tallte, e lante me turp.

Dhe nëna vendosi të ngulte një gozhdë,
Për çdo prapësi të djalit, në mur.
Dhe nëna thinjej dhe muri mbushej,
Dhe ajo kërrusej me ditë e orë.
Një ditë i harroi i biri huqet,
Tek pa me tmerr murin me gozhdë.
I ra në gjunjë nënës e qau,
Kam qenë i marrë, o nënë më fal.

Të gjitha thinjat me lotë ia lau,
Dhe i rëndonte çdo thinjë sa një mal.
E mira nënë kokën i puthi.

Mjaft qave bir, tani u rrite.
T’i duash ti njerëzit dhe unë gozhdët,
Do t’i shkul pas çdo të mire.

Të mirat djalin zemrën ia mbushnin,
Askush s’e njihte më atë.
Çdo mbrëmje shihte murin,
Dhe numëronte gozhdët në të.
Vjen një ditë, kur nëna e mplakur,

Nga muri shkuli gozhdën e fundit.
Por djali s’ndihej ende i kënaqur,
Në mur qenë vrimat, si vrima plumbi.
O nënë tha djali, s’do jem i qetë,
Pa zhdukur murit vrimat e zeza.

O bir tha nëna, kjo s’ndodh në jetë,
Çdo vrimë të murit m’a ka dhënë zemra.
Ti qofsh i mirë dhe qofsh me nder,
Dhe lehtë në balle djalin e puthi.
Por plaga s’ikën kurrë nga trupi,
Dhe s’bëhet kurrë i bukur turpi.

Xhulit

Nga dashuria që kam për ty
Mund të të shquaj edhe në mjegull.
Nga dashuria u ktheva sy,
I urtë, xhind, bohem, i rregullt.

Nga dashuria ditët e gjata
Në bukë i ktheva, kokrra tespije.
Me to të gjallë ndjenjën e mbajta,
Me to sfidova ankthin në pritje.

Nga dashuria në qiell u shtriva,
Me kokë në diell fjeta gjatë.
Dhe s’u pendova që të desha,
Ndërmend kam të të dua prapë.

Hija ime

Me hijen time ik në rrugë,
Ajo e sheshtë gjithë aq e zezë.

E di saktësisht se ç’mendoj unë,
Pjerrtas më sheh si një të mjerë.

Unë hijen time nuk e njoh,
S’ia di mirësitë e as tradhëtitë,

Nuk di as kur do më lëshojë,
Kur do të më ngarkojë në shpinë.

Kur e di se do të vdesësh

Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule dhe më
shumë yje qielli ka.
Më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit
të tyre është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u
rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë
nesër të ligj.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!
Lulet lule do të jenë dhe nuk do të
kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh
te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim…

Vetvetes
(Teodorit të dashur)

Nga jeta ime shtegtuan zogjtë
dhe njerëzimi e humbi seksin.

Tani unë flas për ç’do të lindë
pa parë turmat që po vdesin.

O miku im, oportunizëm,
ma hëngre kokën, ma bëre gropën!
Kujt t’i ankohem? Kë të mallkoj?
Më mirë po ik’, të plehëroj botën!

Më mundon

Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
fjalët ti m’i ktheve në harrim,
në qiell është hëna, s’i them dot hënë
s’të flas dot për mjegullën në agim.

Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
në gjoks ti vër çdo fjalë në vend të saj.
Pastaj do të përkund në një djep-këngë,
me hënën flokëve si karficë e bardhë.

Dhe nëse rrugët për në zemër dot s’i gjen,
më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi.

Mbi ta mbështete kokën,
dhe për një çast ti pendë do të kthehesh,
brenda meje do të vërtitesh, shpirt!

Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
kur ti je kaq pranë dhe kaq e thjeshtë,
u këput një gjethe nga një pemë,
e verdhë si harresa … ishte vjeshtë

Të kam dashur

Të kam dashur, të kam dashur
zemra ime zog i brishtë
nëpër erëra të kërkon.

Fishkëllen motiv’n e hershëm
një përgjigje merr të trishtë
heshtje varri që heshton.

Të kam dashur, të kam dashur
m’u lodh zemra në kërkim
krahëkëputur ra mbi breg.

Peshkatari që e gjeti
vetë u mbyt në një trishtim
gjakspërkatur si një shegë.

Të kam dashur, të kam dashur
me aromë të ndoqi zemra
nëpër erëra e murlane.

Era fryu jug-veri,
nga të shkoj, klithi e shkreta
unë pa zemër jam kësaj ane

Të kam dashur, të kam dashur
i vetmuar zemrën pres
mal trishtimi në këtë glob

Era fryn, aroma bie
zemra ime nuk po vjen
oh, ka ngrirë në një pol.

Të kam dashur, të kam dashur
mirë, mos eja, nëse s’do
veç një diell ngri në skaj.

Të çlirohet zemra ime
lidhur akujsh nëpër lot,
zemra ime e pafaj…

Jetësore

Ja ra mbrëmja, ti s’je më,
Ku ke shkuar, unë s’e di!
Ne u prishëm për hiç gjë,
Edhe gjatë, do mbajmë mëri…
Dhe kështu, gjersa një ditë,

Të na thotë jeta “Harro!”
Në do kthehemi ne përemra,
Unë “Ai” dhe ti ” Ajo” .

Do harrohen telefonat.
Sytë tanë do thahen pellgjeve,
Si prelud do bjerë nga qielli,
Një dëborë, zbokth i reve…

Por s’do bëhemi qaramanë:
“Eh, m’u thye mua ëndrra!”
Sytë tanë kur të takohen,
S’do të kenë urrejtje brenda.

E dashur, erdha!

E dashur erdha! Pse vrenjtesh kot?
Ti po më prisje përsëri,
mos u çudit, unë jam një zog.
kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!

Do, s’do, të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

Do bësh sikur më ke inat.
Ndodhi e vjetër, unë e di!
S’jam buzëqumësht, por esnaf,
për dashurinë di plot dredhi!
Unë do të puth, do të pushtoj në gji,
dhe po ma mbylle derën ti.

E dashur, erdha, në prag ke dalë,
ke hapur portën dhe qesh nën hundë.
Sa përbetohesh me qindra fjalë,
më mirë, eja, më puth!

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.

Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

E dashur, erdha, pse vrenjtesh kot,
ti po më prisje përsëri.

Mos u çudit! Unë jam një zog.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

Larg syve mbetën buzëqeshjet…

Larg syve mbetën buzëqeshjet
dhe dashuritë nga zemrat larg.
Veç vdekja afër, fare afër
me dorën ngritur qëndron në prag.

Dëgjoj trokitjen, puthjen ia ndjej,
shprishje gjymtyrësh në trupin tim.
I dashuruar pas dashurisë
mbeta i veshur me qejf.

Sot s’është çudi në prag të jetë
duke trokitur vetë dashuria.
Por unë s’e njoh. Kam frikë. S’hap derën.
Drejt vdekjes shkoj, siç një jetë ika.

Ku vallë je sot?

Kur dikush thote bri meje “Irenë”
unë të kujtoj ty qetësisht.
Bie një muzg e zverdh një vjeshtë,
ca gjethe bien dhe shfaqesh ti.

Nuk të harrova, megjithëse kurrë
s’të thashë: “Irenë, unë të dua!”
Atëherë në zemer dyzimi – luftë
përfundimisht më mundi mua.

Syri yt priste ta thyeja drojtjen
plot ankth si fundin e nje gare.
Po unë heshta.

Prania jote
ma mjegullonte rrugën drejt fjalëve.
Një ditë ti shkove.

Veç në mesnatë
shumë kohë në ëndërr më mbete.
Kur gjumi varej mbi qepallë,
magjepsëse uleshe pranë meje.
Ku je vallë sot? Në ç’muzg e vjeshtë?
Pa ty janë ëndrrat si shkretëtirë.

Po ti qofsh e lumtur, Irenë, Irenë!
Unë të kam dashur. Natën e mirë!

Anabelmagazine