Zotëroni mendjen tuaj për të zotëruar jetën tuaj
Njerëzit flasin me veten e tyre gjatë gjithë kohës që janë zgjuar. Ky njihet si monolog i brendshëm apo ligjërim i brendshëm. Është diçka e krejt e natyrshme dhe normale. Por disa njerëz debatojnë në kokën e tyre, gjë që çon në konflikte të brendshme, ankth dhe depresion. Shumica e sfidave tek individët lindin për shkak të debateve që ndodhin në mendjet e tyre. Kur njerëzit i ushqejnë mendjet e tyre me informacion negativ, ata evoluojnë si individë negativë, ndërsa kur njerëzit i ushqejnë mendjet e tyre me informacione pozitive, ata evoluojnë si individë pozitivë.
Mos e humbni kohën tuaj të çmuar mendore
Kur grindeni në kokën tuaj, ju jeni duke e helmuar mendjen dhe duke humbur kohën tuaj të çmuar. Kjo gjë mund të ketë efekte negative tek njerëzit përreth jush. Shpeshherë njerëzit mendojnë se humbja e kohës është fizike. Në fakt ajo është edhe mendore. Në jetën e tyre, njerëzit humbin më shumë nga koha e tyre mendore dhe më pak kohë fizike.
Kur mendoni mbi njerëzit negativë dhe ngjarjet e pakëndshme nga e kaluara, ju jeni në fakt duke humbur kohën tuaj të çmuar mendore. Studimet tregojnë se njerëzit e humbin 30 për qind të kohës duke menduar për të kaluarën e tyre të pakëndshme, e cila nuk mund të ndryshohet.
Prandaj, mësoni që të jetoni në të tashmen pa menduar për të kaluarën tuaj të pakëndshme, dhe pa u shqetësuar për të ardhmen. Ushqejeni mendjen tuaj me mendime pozitive, dhe punoni në mënyrë konstruktive dhe krijuese për të arritur suksesin.
Shmangni shndërrimin në një njeri që mendon me tepri mbi çdo situatë
Kapërcejeni paralizën e analizës. Shmangni të menduarit si më poshtë: Do të doja të kisha sukses si sipërmarrës. Do të doja të lindja në një familje të shëndetshme. Do të doja të kisha një arsimim të rregullt. Do të doja të kisha arsim cilësor. Do të doja të kisha një mentor që në fillim të jetës sime për të qenë i suksesshëm.
Shmangni argumentet e brendshme irracionale. Jini realist dhe praktik. Jini pozitivë dhe të sigurt. Shihni dritën që keni brenda për ta udhëhequr jetën tuaj në paqe dhe lumturi. Mark Aureli thoshte: “Jeni ju që keni fuqi mbi mendjen tuaj, dhe jo ngjarjet e jashtme. Kuptojeni këtë dhe do të gjeni forcë”.
Shmangni argumentet imagjinare irracionale në kokën tuaj
Ja disa këshilla për të shmangur grindje të tilla. Së pari mos i merrni si personale kritikat e pashëndetshme. Shmangni individët që kënaqen kur debatojnë me të tjerët. Mos reagoni ndaj tyre. Injorojini ata. Veproni në mënyrë pozitive. Shkëputuni nga individët negativë dhe lidhuni me njerëz pozitivë.
Kuptoni fuqinë që ka monologu i brendshëm dhe shfrytëzojeni atë në mënyrë konstruktive. Mbani një ditar. Për shembull, sa herë që kam një problem ose konflikt në mendjen time, unë e shkruaj atë. Kjo praktikë shërben si terapi. Unë ndjej lehtësim dhe gjej zgjidhje për të. Për më tepër, e zhbllokoj fuqinë e mendjes sime të nënndërgjegjeshme për të gjetur zgjidhje për problemet dhe për t’i zgjidhur me efektivitet konfliktet.
Përsëritja e argumenteve është një thikë me dy tehe
Studimet tregojnë se përsëritja e argumenteve në mendjen tuaj, shkakton në fund më shumë dëme sesa bën mirë. Kjo çon në sëmundje të ndryshme mendore dhe e dëmton trupin tuaj. Ndikon negativisht mbi mendjen dhe trupin tuaj. Para se të shkruaj një artikull apo ese, unë luaj në mendje të gjithë skenarin. Po ashtu edhe para se të ngarkoj një video në kanalin tim në YouTube.
Përpara se të marr pjesë në një intervistë, podcast apo në uebinar si i ftuar, bëj të njëjtën gjë. Kjo gjë më ndihmon të jap më të mirën time, teksa parashikoj pyetjet e mundshme dhe bëj prova me përgjigjet e mia. Prandaj të luash të gjithë skenarin në mendjen tënde është një thikë me dy tehe. Gjithçka varet nga mënyra se si e përdorni mendjen dhe nënndërgjegjen tuaj.
Zotëroni mendjen tuaj, për ta udhëhequr jetën tuaj me ndërgjegje të plotë
Shmangni debatet në kokën tuaj. Mos harroni se armiku i brendshëm është më i rrezikshëm se ai i jashtëm. Prandaj, shmangni debatet tuaja të brendshme, në mënyrë që të kontrolloni armikun tuaj të brendshëm. Qetësojeni mendjen tuaj të paarsyeshme që debaton, për ta udhëhequr jetën tuaj me ndërgjegje të plotë dhe kuptim.
Mendja juaj është një kryevepër. Ju mund ta përdorni atë ose për aktivitete konstruktive ose shkatërruese. Zgjidhja është në dorën tuaj. Ndaj përdoreni mendjen në mënyrë konstruktive për të ndërtuar një botë më të mirë. Për ta përmbledhur, përdoreni pozitivisht fuqinë e mendjes tuaj të nënndërgjegjeshme, për të ndalur debatet në kokën tuaj, për të shkëlqyer si një individ pozitiv dhe për t’i perceptuar pozitivisht të tjerët.
Ju mund të flisni gjëra të mëdha me të tjerët dhe t’i frymëzoni ata. Mos harroni, jeni ju ai që e ushqeni mendjen tuaj. Prandaj, ushqejeni mendjen tuaj pozitivisht për të shkëlqyer si një individ i shëndetshëm. Shmangni argumentet imagjinare irracionale në kokën tuaj, duke pasur një jetë me kuptim dhe me ndërgjegje të plotë. /
“A2Success” – bota.al