Zinchenko i uron vdekjen Vladimir Putin: postimin e lojtarit të City e zhdukin pas pak minutash

Oleksandr Zinchenko i uron vdekjen Vladimir Putinit në Instagram, por ‘story’ zhduket pas pak minutash. Lojtari i Manchester City akuzon rrjetin e famshëm social se e ka fshirë. 25-vjeçari pak ditë më parë ka dashur të shprehë publikisht opinionin e tij për situatën delikate politike që po përjeton vendi i tij. Lojtari kishte publikuar një postim në Instagram për të shprehur shqetësimin e tij: “E gjithë bota e qytetëruar është e shqetësuar për situatën në vendin tim. Nuk mund të qëndroj indiferent dhe dua të pohoj këndvështrimin tim. Vendi im është në këtë foto. Vendi ku linda dhe u rrita. Një vend ngjyrat e të cilit i mbroj në skenën sportive ndërkombëtare. Një vend që ne po përpiqemi ta bëjmë të famshëm dhe ta zhvillojmë. Një vend, kufijtë e të cilit duhet të mbeten të paprekur. Vendi im është i ukrainasve dhe askush nuk do të mund ta marrë kurrë. Ne nuk do të dorëzohemi. Lavdi Ukrainës”.

Megjithatë, orët e fundit situata është përkeqësuar. Gjatë natës, presidenti rus njoftoi operacionin ushtarak në Ukrainë, duke kërcënuar me pasoja për këdo që ndërhyn. Kështu, Zinchenko është kthyer të flasë, duke i’a besuar gjithmonë fjalët e tij rrjeteve sociale. Oleksandr postoi një foto të Vladimir Putinit në historitë e tij në Instagram dhe shkroi: “Shpresoj të vdesësh nga vdekja më e dhimbshme”.

Por postimi, pas pak minutash, u zhduk. Lojtari i Manchester City, siç raporton Daily Mail, pretendon se ka qenë rrjeti i famshëm social që ka fshirë dhe censuruar postimin e tij. Tabloidi ka kontaktuar Instagram për koment, por ende nuk ka marrë një përgjigje. Sulmi rus në Ukrainë filloi në agim. Vladimir Putin e bëri të ditur këtë në TV kur në Moskë ishte pothuajse ora 6:00. Presidenti rus, ish-zyrtari i KGB-së, më pas paralajmëroi vendet e huaja që të shmangin ndërhyrjen: “Për të gjithë ata që përpiqen të ndërhyjnë nga jashtë, përgjigja e Rusisë do të çojë në pasoja që nuk i keni përjetuar kurrë”. Sapo mbaroi fjalimi i Putinit në TV, mbërritën raportet e para për shpërthime në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.