Zhdukja e Ervis Martinaj, Rama: U vra apo jo? Pse nuk e thotë policia, kush ju pengon?! Drejtori i ri të shuajë dilemën
Për herë të parë, kryeministri Edi Rama ka reaguar për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, për të cilin Policia e Shtetit nuk ka asnjë gjurmë për vendndodhjen e tij, e as përgjigje nëse është vrarë apo jo.
Në një deklaratë nga Ministria e Brendshme pas prezantimit të drejtorit të ri të policisë, Rama pyeti Policinë e Shtetit që ishte rreshtuar para tij, se pse nuk kanë përgjigje për fatin e personit më të kërkuar në Shqipëri.
Ai tha se nën drejtimin e Muhamet Rrumbullakut, ka ardhur koha që Policia të shuajë dilemën nëse Ervis Martianj është vrarë apo jo. Ai tha se nëse i shumëkërkuari është vrarë duhet informuar publiku dhe nëse jo, duhet gjetur dhe t’i dorëzohet drejtësisë.
“Si është e mundur që Policia e Shtetit ende nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej figurave më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e papranueshme që mediat çdo natë janë bërë si Big Brother, jo u vra, jo nuk u vra ai që ishte shumë i kërkuar nga policia. Lajme me luanë, me bamirësa, me oligarkë, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit Shqipëri. Policia nuk di ende ta thotë ‘ore u vra apo nuk u vra’. Kush e ka penguar ta thotë? Kjo dilemë duhet të marrë fund sa më parë. Nëse i kërkuari është vrarë t’i thuhet publikut që është vrarë, ose të gjendet dhe t’i jepet drejtësisë”– tha Rama në fjalën e tij.
Top Channel