Zhduket përdorimi i simbolit “Z”/ Gjermania ndëshkon me ligj këdo që e përdor
Disa lande gjermane kanë njoftuar se përdorimi publik i simbolit “Z”, që po përdoret për të shprehur mbështetjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, do të ndëshkohet me ligj. Senatorja Iris Spranger nga Berlini tha për gazetën Tagesspiegel se përdorimi i simbolit “Z”, që është parë në makinat ushtarake ruse, “natyrisht se do të thotë mbështetje e luftës së agresionit”.
‘Z’ – Simboli i luftës së Putinit në Ukrainë
Përdorimi i këtij simboli, sipas saj do të dënohet me ligj. Ajo iu referua një neni të Kodit Penal, që në rast se dikush e shkelë të njëjtin, mund të dënohet deri në tre vjet burgim apo të gjobitet. Po ashtu Lower Saxony dhe Bavaria kanë njoftuar për dënime lidhur me përdorimin e këtij simboli.
“Ne nuk pranojmë miratimin e krimeve dhe shkeljeve të ligjit ndërkombëtar”, tha për Dpa ministri i Drejtësisë së Bavarisë, Georg Eisenreich.
Po ashtu, edhe në lande të tjera gjermane, ligjvënësit janë shprehur se janë për të aplikuar dënime në rast të përdorimit të këtij simboli. Që prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, shkronja “Z” është parë në tanke e uniforma, dhe po ashtu është shfaqur e vizatuar në mure, ndërtesa e bluza, teksa ky simbol po përdoret për të shprehur mbështetjen ndaj pushtimit të Ukrainës nga presidentit rus, Vladimir Putin.
Ka disa teori se çfarë nënkupton kjo shkronjë, e cila nuk gjendet në alfabetin rus. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, ka thënë se “Z” do të thotë “Për fitore”./ REL