Zhaneta Byberi: VIP-at që më dërgojnë mesazhe për takime intime pas emisionit, problemet dhe shqetësimet që më rrëfejnë
Nga eksperienca e konkurrimit në “Miss Universe” ruan si kujtim të paharrueshëm takimet gjatë provave me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Zhaneta Byberi është miss-i që provoi emocionin e moderatores së “Miss Universe Albania”, në krah të Flori Agalliut. U ngjit në këtë skenë pas sprovave televizive si prezantuese e emisionit “Vip Zone”, me të ftuar personazhet më të famshëm të momentit. Për impresionet nga bisedat me Trump, marrëdhëniet me VIP-at jashtë kamerave, dhe ruajtjen e linjave të miss-it Zhaneta flet në këtë intervistë për revistën “Story”.
Të shohim në ekran si prezantuese e “Vip Zone”. Si është përballja jote me personazhet e njohur?
Përballja me personazhe të njohur të Show Biz, etj s’është e sikletshme apo e vështirë. Të shumtit prej personazheve mund t’i quaja të njohur prej vitesh, e disa të tjerë miq mjaft të mirë.
Pyetja më e sikletshme dhe pyetja që pothuaj i përgjigjen të gjithë pa problem?
Qëllimi im gjatë intervistave ka qenë të shmang pakënaqësi te të ftuarit, ndaj s’ka pasur siklete të cilat mund të përmenden. Sa për pyetjen së cilës mund t’i përgjigjen të gjithë besoj se është “Si jeni?” (qesh).
Në “Vip zone” ka vetëm njerëz të pasur e të lumtur? Në ç’rast ke menduar se ky apo kjo VIP është më i zakonshëm se të zakonshmit?
Në raste të të përmendurit të problemeve apo shqetësimeve që asnjë s’e mendonte të hasnin “VIP”-at tanë.
Të ka ndodhur që pas intervistës të marrësh ndonjë mesazh për takim intim?
Ka pasur raste që ka ndodhur diçka e tillë, por zakonisht s’ka qenë në interesin tim të pranoja takime të tilla.
Ndërkaq prezantove “Miss Universe” në krah të Florian Agalliut. Ndjetë kiminë e duhur mes njëri-tjetrit?
Ishte emocion tejet i madh bashkëprezantimi i një spektakli tejet prestigjoz siç është “Miss Universe Albania”. Besoj se ishim një dyshe spektakolare. Me Florin jam takuar disa herë dhe kemi diskutuar mjaft rreth spektaklit, dhe isha me besimin se çdo gjë do të shkonte për mrekulli.
U ngjite në skenë si prezantuese, pasi ke provuar vetë e para pasarelën si konkurrente si “Miss Universe Albania 2014”. Mund t’i kujtosh emocionet e asaj gare?
Ishte një ndjenjë e pashpjegueshme. Përjeton shumë emocione bashkë në të njëjtën kohë. Je gjatë gjithë kohës vigjilente për shmangien e ndonjë gabimi të mundshëm, por edhe njëkohësisht në kontroll të vazhdueshëm të emocioneve. Është spektakël madhështor fundja.
Si një Miss që je të ndodh të përfshihet nga ankthi se mos humb format ideale me kalimin e viteve?
Përfshihesh nga ankthi vetëm në rastet kur merr lajm që je ftuar në një eveniment të rëndësishëm pasi ke qenë me pushime dhe pasi ke shtuar pak kile (qesh).
Çfarë bën për t’i ruajtur format?
Unë kam një trup që mund ta quaj relativisht të stërvitur mirë; merrem me sport dhe palestër. Bëj kujdes të ushtroj më së shumti këmbet pasi ajo është “zona ime delikate” sa i përket shtimit në peshë.
Takimet e paharrueshme me Donald Trump, ishte mashkull tejet i edukuar, me sens humori dhe qëndrim prej zotërie
Nga eksperinca jote në “Miss Universe” ruan si kujtim takimin me Donald Trump. Si do e përshkruaje impaktin që pate nga ai takim me Presidentin aktual të Amerikës?
Z. Donald Trump vinte shpesh personalisht për të na përshëndetur gjatë provave, apo për mbikqyrje të programit ditor të parapërgatitjes sonë gjatë konkurrimit tim në Miami, Florida. Ndaj mund të them që pas një periudhe “u ambientuam” me prezencën e tij. Ishte mashkull tejet i edukuar, me sens humori të veçantë dhe qëndrim prej zotërie të vërtetë. Të gjitha këto nëse flas të paktën në lidhje me qëndrimin e mbajtur karshi meje dhe konkurenteve apo punonjësve të resortit, ku zhvillohej përgatitja për finalen e madhe.
Rikthehemi tek gara e miss-eve të universit. Vajzat e konkurrentet e cilave vende të tërhoqën vëmendjen si më të bukurat?
Të gjitha konkurentet ishin mjaft të bukura, dhe ajo që dukej qartë ishte se gjithsecilën e karakterizonte një bukuri unike. Personalisht më dukeshin më simpatike femrat me pamje mesdhetare dhe latine, ku spikasnin sigurisht femrat e bukura të Amerikës së Jugut si; Miss Kolumbia, Brazili apo Venezuela.