“Zëri” i myslimanëve në Korçë, Myezini që thërret 5 herë çdo ditë ezanin në xhami
Lorenc Kollona është Myezini i xhamisë “Iljaz Bej Mirahori” në Korçë.
Thirrja e ezanit për të nuk është e rastësishme, paraardhësit e tij ja kanë trashëguar.
“E kemi trashëgimi si ezan. Stërgjyshi im Latif Kollona ka qenë në këtë xhami ka qenë hoxhë, ka bërë ndonjë lutje. Unë dhe vëllai im e kemi thirrur ezanin në këtë xhami dhe xhamia lart. Është kënaqësi që nuk përshkruan dot. Ezani është dhunti e zëri që ka dhënë Allahu jo çdokujt ja mundëson ta thërras,” – u shpreh Lorenc Kollona.
Ndjesia që ai merr duke thirrur ezanin për besimtarët myslimanë teksa zëri i tij dëgjohet pothuajse në gjithë Korçën, është tejet e veçantë.
“Është kënaqësi që nuk përshkruhet, mezi e pres te vij. Kur nuk e thërras ndonjë namaz, jo të ikë dita ndihem bosh. E kam të lidhur këtë pjesë dhe dua që deri në momentin e fundit të jetoj të jem duke thirrur namazin,” – tregoi Kollona.
Jeta si Muezin i ka servirur momente të veçanta gjatë jetës së tij.
“Ka qenë një histori në Tiranë që kam shkuar në ca njerëz të nuses, atje ngaqë me mori malli për ezanin, u prezantova që jam Muezini i Korçës, jo për të thënë se kush isha unë, por ngaqë me mori malli ta thërrisja. Dhe e thirra, njerëzit që nuk besonin, kur dola me përqafuan vëllezërit. Kjo është kënaqësia me e madhe,” – u shpreh Kollona.
Lorenci shpreson që një ditë ta dëgjojë ezanin nga djali i tij.
“I lutem Allahut që kjo të vazhdojë siç ndodhi me stërgjyshin. Të ndodhë me fëmijët e mi, tua le trashëgimi. Kjo është pasuria me e madhe që mund ti lesh fëmijes. Do lutet, do të të përmende, edhe kur të ikësh nga kjo botë, ke lënë pasuri të madhe,” – u shpreh ai.
Muezini është personi që thërret ezanin 5 herë në ditë, me një rol të rëndësishëm në xhami, sipas besimit islam.