“Zemra po t’kërkon ty…” / Ç’po ndodh mes Heidit dhe Romeos?

Pas një pauze të gjatë, Romeo Veshaj është rikthyer në botën e muzikës duke publikuar një këngë e cila ka bërë jo pak zhurmë në rrjet.

Me titullin “Se Di”, kënga tekstin e të cilës e ka shkruar vetë Romeo, lë shumë për të interpretuar pasi është e vështirë mos ta lidhësh çdo fjalë që Romeo thotë në klip me marrdhënien e tij me Heidin – marrëdhënie e cila prej kohësh aludohet se ka përfunduar.

“Çfarë po bën, ku po shkon zemër?”, “Xhane, xhane, ku ka dhimbje ka dhe faje”, “Zemra po t’ kërkon ty…” – këto janë vetëm disa vargje të shkëputura nga kënga e re e aktorit.

Edhe pse ndarja mes dy ish-banorëve duket se u përforcua edhe më tej pas largimit të Heidit nga Shqipëria, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për të konfirmuar apo mohuar këto thashetheme.

Në profilin e Heidit ende gjenden disa foto me Romeon, ndërsa Romeo i ka fshirë të gjitha postimet me të. Ndërkohë, të dy vazhdojnë të ndjekin njëri-tjetrin në rrjete sociale,..

Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet kjo histori, që filloi brenda katër mureve të shtëpisë së “BBV3.”

Revista Who