Zbulohet titulli i filmit ku do të luajnë Luizi dhe Olta + detaje të tjera

Filmi që do të bëjë sërish bashkë Luizin dhe Oltën titullohet “Në kuadër të dashurisë”.

Titulli, siç duket, është frymëzuar nga batuta e famshme e Luizit gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP” – në kuadër të lojës.

Autori i “Wake Up”, Blendi Salaj, zbuloi në emisionin e mëngjesit se filmi do të jetë “një histori e vërtetë dashurie në kohët moderne që ndërlidh jetën e dy njerëzve, dy familjeve të tyre në një komedi romantike që do t’u bëjë të qeshni, të qani dhe të dilni nga kinemaja të frymëzuar.”

Siç mund ta keni lexuar, Anabel zbuloi disa ditë më parë se Olta dhe Luizi do të jenë protagonistët e një filmi, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Korçë, të paktën në draftin e parë të skenarit. Ata thuhet se do të jenë partnerë në film.

“Pjesë e kastit mund të jenë edhe emra të tjerë të edicionit të dytë të ‘Big Brother’,” tha një burim për Anabel.

Skenari i filmit është shkruar nga Koloreto Cukali, ndërsa Top Channel është producent. Kujtojmë se më herët, Olta dhe Luizi kanë përmendur që një projekt kinematografik është në axhendën e tyre.

Olta u shpreh në Instagram se “[Plani i radhës është] një film me një kast që as ju shkon mendja”, ndërsa Luizi, në intervistën në podkastin me kryeministrin Edi Rama, tha se do të jetë pjesë e një filmi.

Anabelmagazine