Zbulohet plani i Turjan Hyskës/ I rrëmben “Vizion-it” stafin e “Apartamenti 2XL”
Shumë shpejt pritet që Turjan Hyska t’i thotë lamtumirë televizionit “Vizion Plus”, ekranit në të cilin ai u rrit profesionalisht.
Express mëson se në muajin qershor, Turjan Hyskën do ta shohim në Televizionin Klan me një program të tijin, ndërsa në një tjetër media, në Klan Plus, Turi pritet të marrë postin e drejtorit Ekzekutiv të Televizionit. Pas vetes, moderatori do të marrë edhe aktorët e humorit të spektaklit të së martës “Apartamenti 2Xl”.Express mëson ekskluzivisht, se Turjan Hyska do të marrë edhe emisionin ku ai është producent. Kështu, bashkë me Turin, televizionit Klan do t’i bashkohen edhe aktorët e njohur të humorit si Julian Deda, Albano Bogdo, etj. Kujtojmë se Julian Deda, veç aktorit në “Apartamentin 2XL” është edhe në jurinë e “Dancing With The Stars” në Vizion Plus, spektakël i cili deri në muajin qershor përfundon.
Deri më tani dy ekranet që kanë rrëmbyer audiencën e veçantë me programe humori janë Top Channel me “Portokalli” dhe Vizion Plus, me dy spektakle “Alpazar” dhe “2XL-në” që tashmë zhvendoset në Klan. Kështu, televizioni kombëtar Klan plotëson edhe boshllëkun e një spektakli të mirëfilltë humori.
Pas lajmeve të largimit nga “Vizion Plus”, qershori do e gjejë Turjan Hyskën në “TV Klan”, dhe Klan Plus. Kontrata është firmosur tashmë nga palët, thanë burime të sigurta për Express, edhe pse vetë moderatori nuk e ka pranuar një fakt të tillë, duke u shprehur publikisht se do të vijojë të jetë pjesë e “Vizion Plus”. Edhe më herët, Turi u fotografua në ambientet e televizionit Klan, i ulur në kafe me pronarin e këtij televizioni Aleksandër Frangaj. Turjan Hyska është i martuar me prezantuesen e një tjetër programi në “Vizion Plus”, formatin me titull “Cover”. Nuk dihet ende nëse Turi do të marrë me vete në rrugëtimin e ri në media edhe bashkëshorten e tij, duke qenë sa ajo la muzikën për televizionin kur ai kishte post drejtues në “Vizion Plus”, pra ishte ai shtysa dhe ndoshta zbuluesi i talentit të saj. Edhe ai e ka nisur karrierën e tij si moderator në ekranin e Vizion Plus me emisione si “Përrallë nga e kaluara” , “Mos u nxeh”, “Oktapod”, ndërkohë që është producent i spektaklit të humorit “Apartamenti 2xl”.