Zbulohet mashtrimi i arbitrit: u shtir se kishte Covid, për të bërë operacion estetik
E pabesueshme por e vërtetë ajo që ndodhi në Ligën meksikane. Një arbitër pretendoi se ishte i izoluar nga Covid, që t’i nënshtrohej fshehurazi një operacioni liposuksioni (heqje e dhjamit të barkut). Arbitri, megjithatë, është zbuluar në mashtrimin e tij dhe tani do të duhet të përballet me pasojat.
Në muajt e fundit, Liga MX është vënë në qendër të vëmendjes për arsye nga më të ndryshmet: nga blerjet e shkëlqyera, te rrahjet mes tifozëve, te investimet e mëdha të bëra nga klubet. Por ajo që ka ndodhur ditët e fundit i ka mahnitur të gjithë dhe është sa e pabesueshme aq edhe e vërtetë. Një gjyqtar i është nënshtruar një operacioni estetik. Nuk ka asgjë të keqe me këtë, sigurisht. Problemi është se ai ka gënjyer federatën për të justifikuar mungesën e tij.
Në 1 korrik nisi Turneu Apertura 2022, por shumë kanë vënë re se arbitri Diego Montaño Robles nuk ishte nominuar për asnjë ndeshje. Ai do të shfaqej për herë të parë vetëm në javën e tretë. Montaño, në fakt, u emërua delegat i VAR-it në ndeshjen mes Pumas UNAM dhe Necaxa. Por pse i humbi ndeshjet e para?
Arbitri kishte disa probleme, siç zbuloi gazetari David Medrano për RECORD. Zyrtari nuk u paraqit në konferencën vjetore dhe kishte raportuar se një person në familjen e tij kishte rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe, për këtë arsye, ishte i detyruar të izolohej. Por realiteti ishte tjetër. Arbitri, i cili bëri debutimin e tij në vitin 2015 dhe iu bashkua qarkut të FIFA-s në vitin 2019, nuk u paraqit sepse iu desh t’i nënshtrohej një operacioni liposuksioni.
Vetëm se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Armando Archundia, presidenti i ri i Komisionit të Arbitrimit të Federatës Meksikane të Futbollit, zbuloi gënjeshtrën dhe vendosi ta raportojë menjëherë këtë fakt në federatë. El Francotirador, gjithashtu bashkëpunëtor i RECORD, bën të ditur se Archundia i ka kërkuar arbitrit heqjen e simbolit të FIFA-s. Kjo do të thotë që arbitri do të humbasë një të ardhur shtesë mujore prej 30,000 dollarë.