Zbulohet lista e re, ja sa paguhen VIP-at! Nga Turjan Hysko e Arbana Osmani, te Bora Zemani dhe Luana Vjollca, si ndryshuan rrogat në muajt janar dhe prill
KLEMENT BAÇI/ Skandali i publikimit të pagave të qytetarëve është thelluar akoma më shumë, pasi dje u bë publike një listë e re me të dhëna personale të qytetarëve.
Në rrjetin “WhatsApp” qarkulloi një tjetër databazë me të dhëna personale, si dhe listën e pagave të shqiptarëve për muajin prill 2021, dy ditë pasi u publikua lista për muajin janar. Të dyja listat janë në të njëjtin format, programin “Exel”. Edhe në këtë listë është publikuar numri i identifikimit personal (ID), emri dhe mbiemri, paga e punës, pozicioni dhe vendi ku punon.
Databaza e muajit prill ka të shënuar edhe numrin e telefonit të çdo personi që ka të dhënat e thelluara, duke e thelluar edhe më shumë skandalin e vjedhjes dhe publikimit të të dhënave personale të qytetarëve. Por lista e re ka mbi 694 mijë punonjës të administratës shtetërore dhe sektorit publik, ose rreth 60 mijë më shumë se lista e parë, që kishte mbi 630 mijë emra.
Ajo që bie në sy nga vëzhgimi i kësaj liste, që doli në të njëjtën kohë kur Kryeministri Edi Rama po mbante një konferencë për këtë çështje, rezulton se niveli i pagave nga muaji janar në prill ka mbetur i pandryshuar. Një shumicë dërrmuese e qytetarëve të sektorit publik kanë marrë thuajse të njëjtën pagë në janar, ashtu edhe në muajin prill. Por nga të dhënat e deklaruara në databazën e këtij muaji, konfirmohet fakti se nuk kanë munguar rastet kur brenda kësaj periudhe ka pasur rritje të mëdha të pagave, ashtu sikurse edhe ulje, kryesisht në sektorin privat. Të dhënat mbi pagat që u publikuan për janarin dhe prillin konfirmuan gjithashtu edhe shumën që marrin njerëzit e ekranit, drejtuesit e emisioneve televizive, administratorët e kompanive të mëdha vendase dhe të huaja, si dhe deklarimin e minimumit të kërkuar nga shteti për pjesën më të madhe të të punësuarve në sektorin privat.
Publikimi i këtyre të dhënave personale ka ngjallur debate dhe reagime të forta mbi mundësinë e përdorimit të tyre, si dhe lehtësinë e marrjes apo nivelit të ulët të sigurisë së institucioneve shtetërore për t’i ruajtur ato. Opozita e konsideron këtë databazë si një skemë kriminale të përdorimit të të dhënave personale të qytetarëve dhe patronazhim për përdorimin e tyre për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke u bërë thirrje institucioneve që të hetojnë dhe çojnë shkelësit përpara ligjit. Të njëjtën thirrje e ka bërë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e dënoi këtë veprim, duke u kërkuar ndjesë të gjithë shqiptarëve. “Dua ta ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për t’u kuptuar dhe krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që nuk është e para”, tha Rama, thuajse në të njëjtën kohë me publikimin e databazës së dytë me të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë.
Ajo që ka ngjallur më shumë kureshtjen e qytetarëve pas publikimit të skandalit të pagave të muajit janar dhe prill është fakti që sa paguhet VIP-at e ekranit dhe drejtueset e emisioneve televizive të formateve argëtuese. Pas një hulumtimi në databazën e të dhënave që po qarkullon në “WhatsApp”, ku tregohet identiteti, kartat e identitetit, pozicioni i punës dhe paga përkatëse, vërehet se pagat e tyre kanë një nivel të lartë. Shifra me të cilën paguhen drejtuesit e emisioneve apo VIP-at e ekranit që flasin për VIP-at e fushave të tjera ka disa zero.
Në databazën që qarkullon, paga e atyre për janarin dhe prillin varion nga 73 mijë lekë deri në 1 milionë lekë (ose 10 mije USD). Në qoftë se marrim për bazë këto shifra, VIP-at e ekranit paguhen shumë më shumë se kolegët e tyre në fusha të tjera. Turjan Hysko rezulton të jenë një ndër më të paguarit, pasi producenti i programit të humorit “Klanifornia” ka marrë një rrogë mujore prej 1 milion lekësh (10 mije USD). Shumë afër tij është prezantuesja e programit “Big Brother”, Arbana Osmani, e cila ka përfituar një pagë prej 986 mijë lekësh lekë në prill.
Ajo që bie në sy është se për të dy nuk ka asnjë ndryshim të pagës në këto muaj. Pas tyre, me një pagë prej 542 mijë lekësh renditet prezantuesja Luana Vjollca dhe me 455 mijë lekë Bieta Sulo. Prezantuesja Marina Vjollca ka përfituar në muajt janar dhe prill një pagë të pandryshuar, prej 390 mijë lekësh, ndërsa prezantuesja e “Për’Puthen”, Bora Zemani, është paguar në shumën prej 321 mijë lekësh. Një rënie drastike të pagës nga 432 mijë lekë muajin janar në 190 mijë lekë në prill ka pasur Ledion Liço, ndërsa autorja Olsa Muhameti ka pasur zbritje të pagës nga 508 mijë lekë në janar në 332 në muajin prill.
Ajo që bie në sy në këtë listë të pagave janë shifrat e ulëta me të cilat paguajnë veten çifti i njohur Ermal Mamaqi dhe Amarda Toska, konkretisht 120 mijë lekë dhe 80 mijë lekë. Vëmendje ka tërhequr edhe paga e ulët e ish-prezantueses së njohur Inis Gjoni, e cila ka përfituar një pagë si pedagoge prej 73 mijë lekësh në janar dhe 81 mijë lekë në prill. Megjithatë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për zbulimin e burimit të kësaj databaze, duke sekuestruar serverët e 3 institucioneve shtetërore që i disponojnë dhe kanë përgjegjësi në ruajtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
Sa ndryshoi paga e Fjoralba Ponarit në 4 muaj
Fjoralba Ponari është një nga VIP-at që ka një rritje të konsiderueshme të pagës nga muaji janar në muajin prill, të dhënat e të cilave janë publikuar në një databazë. Moderatorja rezulton të ketë përfituar në muajin janar një shumë pre 30 mijë lekësh të rinj, ndërsa në prill rroga e saj ka arritur në shumën e 186 mijë lekëve, një rritje me 5-fish. Kjo është rritja më e madhe në bazë të shumëfishimit në pagat e VIP-ave në kaq pak muaj dhe për këtë duket se ka ndikuar marrja e rolit të moderatores së spektaklit të humorit “Portokalli”.
panorama.al