Zbulohet DOKUMENTI/ Kjo është padia e Metës për divorc me Monikën në gjykatë
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta njoftoi këtë të enjte (20 qershor) se ka filluar procedurat e divorcit me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
“Pas kësaj deklarate, zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin-tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje” – tha Meta në një intervistë në Syri TV.
Portali VNA ka publikuar padinë e dorëzuar nga Meta në Gjykatën e Tiranës. Kërkesën e ka bërë vetë ish-Presidenti i Republikës, ndërsa ajo që bie në sy është se Meta ka vënë si adresë banimi, selinë e Partisë së Lirisë.
Meta e njoftoi divorcin në intervistën për emisionin “Çim Peka Live” ku u shpreh se “nuk mund të bindë anëtarësinë dhe publikun se SPAK është i kapur nga Rama, kur nuk bind dot bashkëshorten e tij”. Sipas tij, si shkak i kësaj deklarate Kryemadhi tashmë është ish-bashkëshortja e tij ndërsa ka filluar dhe procedurat ligjore për këtë çështje. ©LAPSI.al