Zbulohet biografia e parë zyrtare e ish-dikatorit Enver Hoxha në ‘46: S’ka diplomë universitare!

Pakkush e dinte në vitet e diktaturës se Enver Hoxha nuk kishte shkollë të lartë, veç disa bashkëkohësve dhe shokëve të tij të rinisë. Mënyra si diktatori dhe industria e tij propagandistike operonin në publik, kishin krijuar perceptimin se veç diplomës universitare, Enveri kishte disa kualifikime akademike.

Përkundër këtij realiteti virtual, në biografinë e parë zyrtare të Hoxhës si sekretar i Parë i KQ të Partisë, botuar në vitin 1946, bëhet me dije se ai “ka kryer vetëm vitin e parë të studimeve në Universitetin e Monpeliesë në Francë, dega e Shkencave Natyrale, seksioni i botanikës”. Në asnjë rresht tjetër nuk përmendet diplomimi në Francë, por as ndonjë shkollë tjetër. Më shumë se kaq, biografia e parë e Enverit zbulon edhe një anë të errët të shkollimit të tij, si produktet i privilegjeve dhe penaliteteve të regjimit të Zogut. Me përkujdesjen e këtij të fundit lidhet arsimi në Liceun e Korçës (pas përfundimit të gjysmë Liceut të Gjirokastrës) dhe regjistrimi në Universitetin e Monpeliesë. Sakaq, po me ndërhyrjen e Zogut, konfirmohet ndërprerja e bursës në Francë(!).

Në të dyja rastet, “Biografia…” nuk shpreh gjë rreth meritave dhe arsyeve me të cilat lidhej përftimi dhe ndërprerja e bursës nga autoritetet shtetërore të kohës. Gjithsesi, aty për herë të parë konfirmohet zyrtarisht që Hoxha nuk kishte diplomë universitare. Po misteret e raporteve të Hoxhës me regjimin e Zogut nuk mbarojnë këtu. Pavarësisht mënyrës si artikulohen ato nga biografishkruesit besnikë, paradokset nuk mund të mbulohen deri në fund. Mjafton të kujtojmë përshkrimin e dokumentit të KQ për pjesën e jetëshkrimit të diktatorit pas ndërprerjes “së dhunshme” të bursës në Monpelie. Çuditërisht, ai, studenti i penalizuar që në vitin e parë të universitetit nga regjimi, emërohet prej tij konsull i Shqipërisë në Bruksel. Pas një ndëshkimi tjetër aty, rikthehet në atdhe dhe po me kujdesjen e regjimit fillon punë profesor në Liceun e Korçës, ndërkohë që nuk kishte kryer arsimin e lartë (!).

Enver Hoxha rrjedh nga një familje e mesme intelektualësh. Gjyshërit e tij që kishin marrë mësimet në shkollë turke, kanë qenë kadilerë dhe kanë ushtruar vazhdimisht funksionin e gjykatësit të paqit në Shqipëri, në Maqedoni dhe nëpër territore të ndryshme të Perandorisë Otomane. Si pasuri të trashëguar nga të parët e saj, familja e Enverit kishte vetëm 4 hektarë tokë në fushën e Dropullit dhe shtëpinë e banimit në Gjirokastër. Shtëpia u dogj më 1913, kur imperialistët e megalidesë në Athinë okupuan Shqipërinë e Jugut dhe Gjirokastrën. Që para sa t’i digjej shtëpia, familja e Enverit ishte në varfëri. I ati dhe vëllai i tij, të shtrënguar ekonomikisht, marrin rrugën e mërgimit. Shkojnë në Amerikë për të gjetur punë, por atje nuk qëndrojnë dot më shumë se një vit, nga shkaku se vëllai që kish filluar punën në fabrikën e hekurit të Detroitit u bë tuberkuloz dhe u detyrua të kthehet bashkë me t’atin në Shqipëri. Situata këtu ishte akoma më e vështirë. Shtëpia u qe djegur, i vëllai duhej kuruar, t’ardhura nuk kishin.

Në këto kondita jetese e kaloi vegjëlinë e tij Enver Hoxha. Pas okupacionit grek të Gjirokastrës, erdhi okupacioni italian që filloi në Vlorë më 1914 dhe pastaj u shtri gjer në kufijtë t’ona me Greqinë. Enveri kishte filluar atëherë mësimet e para në shkollën fillore të Gjirokastrës. Sidoqë gjendja e varfër e familjes nuk lejonte, prindërit bënë të gjitha sakrificat që të mos e lënë pa shkollë. Nga shkolla fillore Enveri që doli me nota të mira, u fut në shkollën e qytetit të Gjirokastrës, e cila më vonë u transformua në gjysmëlice francez. Mbaroi atë me sukses, por, gjendja e vështirë ekonomike qëndronte si barrierë e pakapërcyeshme për të vazhduar mësimet. Suksesi në gjysmëliceun e Gjirokastrës u bë shkak t’i jepet një bursë në Liceun e Korçës. N’atë kohë, shumica e profesorëve të liceut ishin francezë me tendenca demokratike liberale, kishte në mes tyre dhe me idera më t’avancuara.

Në lice, prirjet e Enverit ishin për histori dhe literaturë. Ai studioi mirë literaturën frënge të shekullit të XIX dhe sidomos historinë e Revolucionit Francez. Enveri merrte pjesë n’organizimin e grevave me karakter të brendshme kundër disiplinës dhe rregullave despotike të Ministrisë së Arsimit. Në një rebelim të konviktorëve të liceut kundër kusarive që bëheshin në kurriz të nxënësve, u desh ndërhyrja e xhandarmërisë zogiste të shtypesh. Enveri me disa shokë u arrestuan dhe u burgosën për disa ditë, u përjashtuan gjithëashtu nga shkolla për një javë rresht.

Ishte koha kur në Shqipëri nuk kishte akoma shenja të një lëvizjeje të organizuar. Lëvizja e Vlorës kishte dështuar. Qeverisja e Zogut, që kishte ardhur në fuqi me ndihmën e imperializmit të huaj në dhjetor 1924, kishte ushtruar që në fillim një terror të fortë kundër grupeve dhe organizatave me tendenca demokratike. Kjo situatë solli një demoralizim n‘elementin e lëkundshëm demokrat që s’ kish kockë të rezistonte.

Enveri e mbaroi Liceun e Korçës në 1930 dhe duke pasur përkrahjen e profesorëve iu dha bursë për të ndjekur mësimet e larta në Montpelier të Francës. U regjistrua në degën e shkencave natyrore – seksioni i botanikës – ku bëri vetëm një vit. Gjatë qëndrimit të tij në Montpellie ay pati rastin t’i kushtojë një kohë të veçantë edhe zhvillimit të horizontit të tij letrar. Regjimi i Zogut i preu bursën dhe ay detyrohet të shkojë në Paris për të gjetur punë. Në zyrat e Humanite-së u njoh me kryeredaktorin e organit te Partisë Komuniste frënge, Poul Vaillan Coutourier, të cilit i kërkoi të shkruante në gazetë mbi gjendjen në Shqipëri. Vaillanti pranoi dhe i botoi disa gjëra. Në Paris Enveri nuk gjeti punë, por u dërgua sekretar i Konsullatës Shqiptare në Bruksel. S’andejmi vazhdoi t’i dërgojë artikuj për në gazetë mikut të tij Vaillant Coutourier. Artikujt kishin të bënin me situatën e rëndë në Shqipëri. Spiunët e Zogut e zbuluan dhe raportuan aktivitetin e Enverit dhe për këtë shkak ay pushohet nga puna dhe detyrohet të kthehet në Shqipëri. Por, në Shqipëri situata kishte ndryshuar mjaft. Diktatura e Zogut rëndonte më egër mbi masat e gjëra dhe patriotët e intelektualët me tendenca demokratike. Në vitin 1936, Enver Hoxha duke folur mbi varrin e patriot Bojo Topulli hedh parullën e bashkimit. Ay thotë në mes të tjerave: “Ju bëtë aq sa duhet, por djalëria që po mëkëmbet u zotohet se nuk do t’i mungojë as vullneti dhe as kurajoja, kur ka për t’ardhur puna, që të përgatiti një Shqipëri më të mirë. Ne të rinjtë nuk do të kemi për ideal kolltukun, por mbarëvajtjen e atdheut, bashkimin e kombit” Regjimi i Zogut, atyre që nuk ishin me të përpiqej t’i demoralizonte tue mos u dhënë punë.

Iu desh kështu Enverit të sillej shumë kohë pa punë, deri sa më në fund u emërua profesor në liceun e Tiranës. Aty e lanë katër muaj dhe pastaj e transferuan në Korçë, profesor të liceut. Aty tanimë elementi progresist ishte i rrallë dhe persekutohej vazhdimisht. Profesorët francezë nuk ishin më ata të parët, por reaksionarë, monarkista, fashista, dishepuj të Charles Mauras. Por, nxënësit kishin bërë hapa përpara, pse rezistenca kundër politikës pro-fashiste të Zogut kishte filluar. Punëtorët e Korçës po organizoheshin dhe influenca e tyre ndihej kudo. Në Shqipëri kishte kohë që kish ardhur nga Europa, ku qëndronte i arratisur, komunisti Ali Kelmendi, organizator i çeliktë që vdiq më vonë tuberkuloz nga vuajtjet nëpër burgjet e Zogut. Me Ali Kelmendin Enveri ishte parë vetëm një herë.

Ishte parë në Gjirokastër në kohën e vakancave, kur ay ishte kthyer nga Franca. Ishin ditët e fundit që Aliu do të jetonte në Shqipëri, pse pas një kohe të gjatë internimi kishte marrë urdhër-ekspulsimi jashtë Shqipërisë nga organet e Zogut. Punën më të madhe Aliu e bëri në Korçë, pse ay gjeti punëtor të vendosur si Koçi Xoxen, Sotir Vullkanin, Pandi Kriston, Pilo Peristerin etj. Ay luftoi dhe demaskoi arko-marksistin, Niko Xoxin. Punëtorët Korçarë kishin kaluar nga shumë etapa organizimi, grevat e tyre kishin sjellë ndërhyrjen brutale të xhandarëve të Zogut, arrestimet e ndjekjet e elementit përparimtar bëheshin me seri. Nxënësit e Liceut ishin krahas me punëtorët e Korçës në greva dhe demonstrata.

Ata dëgjonin me dëshirë mësimet e profesorit të ri për shekullin e ndritur që pregatiti Revolucionin e Francës dhe këngën e tij për “Zjarrin” e Barbusse-it dhe Romain Rolland.Ishte koha kur duhej të përdornin format legale për organizmin e rezistencës kundra fashizmit. Në këtë drejtim, komunistët e Korçës kishin arritur rezultate të shkëlqyeshme. Me gjithë masat e regjimit për të shtypur lëvizjen, puna vazhdon pa ndërprerje. Në Korçë punëtorët komunistë gjakosin agjentët e fashizmit dhe hedhin zërin e alarmit. Por, pengesat për realizimin e këtij fronti ishin të mëdha. Pengesa kryesore ishte se nuk kishte një parti komuniste t’organizuar që të mund të kanalizonte përpjekjet e përbashkëta,të bashkonte forcat e shëndosha, t’organizonte këto dhe të drejtonte rezistencën. Kishte vetëm grupe komuniste të izoluara dhe të përçara. Pikëpamjet e tyre nuk ishin të qarta. Përpjekjet e grupit komunist të Korçës, u përqendruan pikësëpari për arritjen e një bashkimi në një parti të vetme. Në krye të këtyre përpjekjeve ishte dhe profesori i liceut të Korçës, Enver Hoxha.

Në janar të 1939, qeveria e Zogut që kishte rënë erë të një lëvizje t’organizuar, arreston dhe hedh në gjyq një numër të math komunistash. Në mes të tyre arrestuan dhe shumë veta nga grupi i Korçës. Enveri u kallëzua nga profesorët reaksionarë të liceut si një pjesëtar i kësaj organizate subversive, por qëndrimi heroik i shokëve komunistë t’arrestuar që nuk treguan asnjë emër, detyroi Ministrinë e Mbrëndshme të liminonte arrestimet.

Ngjarjet e ditëve të para të prillit 1939 e gjejnë Enverin në Korçë, gjithnjë në krye të përpjekjeve për organizmin e një fronti të përbashkët anti-fashist. Më 4 prill Korça jep senjolin e kryengritjes. Nën udhëzimet e qendrës së grupit komunist të Korçës, organizohen njëra pas tjetrës demonstrata të mëdha që kishin për qëllim t’armatosnin popullin dhe të formonin çetat e para për të luftuar italianët. Në Bashkinë e Korçës provokohet mbledhja për krijimin e një komiteti “De salut publique”, në mes të delegatëve punëtorë ishte dhe Enver Hoxha. Por, formimi i këtij komiteti u sabotua nga borgjezia reaksionare e frymëzuar nga trockisti Zoi Fundo. Tash shtrohej detyra që populli të rrokte armët dhe të hidhej në një luftë të paprerë kundër okupatorit. Punëtorët e Korçës ishin gati në shënjën e parë t’alarmit. Të rinjtë e qytetit, me nxënësit e liceut në krye, ndiznin në masat e gjëra të popullit urrejtjen dhe shpirtin e luftës kundër zaptonjësit dhe agjentëve të tij. Grevat, protestat, vazhdonin me qëllim që të pengonin okupatorin. Të gjitha këto kishin një burim: grupin komunist të Korçës. Ishte e pamundur kështu që puna e tij të mos binte në sytë e armikut.

Enveri s’mund të qëndronte më në Korçë. Me urdhrin e qendrës së grupit të Korçës ay transferoi aktivitetin e tij në Tiranë. Kjo ishte e nevojshme jo vetëm për të fshehur gjurmët. Në Tiranë, pas shumë kohe pa punë, ay gjeti sa për sy e për faqe një dyqan, dyqanin me emrin “Flora” në Rrugën e Dibrës, i cili u bë shumë shpejt qendra e pjekjeve të vazhduara me shokët që drejtonin dhe organizonin lëvizjen. Tentativat ishin të sqaroheshin mirë grupet e ndryshme në Shqipëri, të hidheshin poshtë pikëpamjet e gabuara, të braktisnin grindjet midis tyre, dhe të bashkoheshin në një parti të vetme, konditë për organizimin e luftës. Duhesh luftuar ashpërisht trockisti Aristidh Qëndro dhe arkeo-marksisti Niko Xoxa, të cilët bënin çmos që grupet e ndryshme të vazhdonin luftën me njëri- tjetrin. Duheshin përpjekje, tratativa për arritjen e këtij bashkimi, për të cilin Enver Hoxha kishte vënë gjithë përpjekjet e tij. Në këtë drejtim, komunistat e grupit të Korçës ishin pro aksioneve direkte kundër invazorit: “trakte, demonstrata, sabotazhe, atentate etj.” Në sabotazhet me këtë vijë hidhet në Tiranë trakti i parë që në muajt e parë të vitit 1941, ku thirrej populli të ngrihesh në luftë. Traktatin e shkroi vetë Enveri, e shtypi vetë dhe ay vetë mori pjesë në shpërndarjen e tij. Kjo fletë mbante si firmë P.K.SH. Ky trakt u ndoq prej një trakti tjetër i shtypur në shtypshkronjë fshehurazi prej komunistit Mihal Duri.

Trakte të këtij lloji u hodhën dhe nga grupe të tjera komuniste, po me firma P.K.SH, por përmbajtja dhe qëllimi ishte njësoj me të parat. Çdo grup përpiqej të dilte si Parti Komuniste. Bashkimi nuk ishte arritur, por rezistenca vazhdonte. Gjer atëherë ishin bërë mjaft demonstrata antifashiste, greva dhe kabotazhe. Shumë punëtorë ishin dezertuar nga kantieret dhe fabrikat ku punonin për hesap të okupatorit, shumë të tjerë ishin hedhur në gjyq si sabotatorë. Të rinjtë që thirreshin nën armë nuk paraqiteshin dhe okupatori detyrohesh të merrte masa duke internuar familjet e tyre. Greva të organizuara u bënë në shkollat e Vlorës e të Shkodrës për të kundërshtuar disiplinën dhe rregullat fashiste. Një situatë akoma më e vështirë për armikun u krijua sidomos gjatë luftës italo-greke, ku i tërë populli u ngre kundra me rezistencë pasive ose me sabotazhe dhe shumë herë duke rrëmbyer dhe armët për t’u bashkuar me ushtrinë greke. Komunistat Vasil Shanto, Qemal Stafa dhe Xhevdet Doda natën e dytë pas deklarimit të luftës së Italisë kundra Greqisë kanë shkrojtur në muret e qytetit të Tiranës: “Poshtë Fashizmi, Poshtë lufta italo-greke, të rrokim armët!” Okupatori u shtrëngua të shpërngulë popullata të tëra nga Shqipëria e Jugës, të bëjë arrestime në masë.

Të vërtetat e pohuara në ‘46-n, që s’u thanë më kurrë

Enver Hoxha nuk ka qenë ai që na është shfaqur: Engjëlli i Baba Cenit, liceisti shembullor i Korçës, studenti dinjitoz i Montpeliesë, konsulli atdhetar i Brukselit, themeluesi i Partisë Komuniste, antizogisti i palëkundur, armiku i shovinizmit serb, miku i njerëzve të thjeshtë etj. Të parat që kanë shprehur rezerva për të vërtetat e këtij profili kanë qenë mediat perëndimore, të cilat qysh me ardhjen në pushtet, kanë ndriçuar aspekte të dyzuara të personalitetit të tij.

Mandej kanë vijuar në këtë linjë kundërshtarët e Enverit, sidomos në vitet e demokracisë. Për herë të parë, gazeta “Panorama” zbulon një dokument zyrtar ku jo vetëm retushohen, por edhe mohohen mjaft nga meritat e diktatorit, të artikuluara prej vitesh. Libri “Enver Hoxha, biografia”, botim i vitit 1946, është një sprovë e KQ të Partisë për të bërë publik jetëshkrimin e njeriut që zuri kreun e vendit pas luftës. (Deri në atë kohë Enver Hoxha punonte në ilegalitet dhe njihej vetëm nga një rreth i ngushtë njerëzish). “Biografia…”, pavarësisht përkujdesjes së autorëve dhe përzgjedhjes së teknikës, qëndroi në qarkullim vetëm pak muaj. Vetë rrjedha e ngjarjeve, pozicioni i ri i protagonistit dhe sundimi i gjithëpushtetshëm i diktatorit, përcaktuan fatin e librit si literatura e ndaluar. Pas kësaj nuk u fol kurrë për të, ca më shumë për përmbajtjen.

Ca të vërteta e gjysmë të vërteta të pohuara aty, si ato për shkollimin në Francë, për rolin në mbledhjen e 8 nëntorit, për lidhjen me jugosllavët, për likuidimin e kundërshtarëve politikë, për miqësitë e viteve të luftës, u fashitën si me magji, për t’ua lënë vendin ca artikulimeve të tjera, katërcipërisht të kundërta me to. I pari që vuri dorë në revizionimin e tyre ishte vetë Enveri, i cili në korpusin e librave me kujtime (plot 13 të tillë) serviri një biografi ndryshe nga ajo e vitit ‘46. Duke filluar nga sot, “Panorama” do të botojë tekstin e biografisë së parë të Enverit dhe lexuesi do të ketë rastin të konstatojë morinë e pasaktësive dhe mënyrën e manipulimit të jetëshkrimit të diktatorit.

gazetatema.net