“Zbrit poshtë se ta tregoj unë”! U zunë për punë parkimi, 56-vjeçari ishte mësues dhe kishte vetëm një muaj në Tiranë

Zbulohen detaje të reja nga ngjarja fatale e ndodhur në Tiranë, ku një 56-vjeçar humbi jetën pasi u rrah keq me grushte nga fqinji.

Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “Balkanweb” se viktima Nikolin Staka, 56 vjeç, me profesion mësues, lindur në Laç dhe banues prej një muaji me qira në Tiranë ka jetuar në Belgjikë më parë.

Ditën e ngjarjes ai ka parë nga ballkoni i katit të dytë të banesës që fqinji i tij Alban Meneri po debatonte me një grua për punë parkimi, dhe i ka folur nga lart.

“Çfarë bën, si nuk të vjen zor që zihesh me gra”, mësohet t’i ketë thënë viktima 51-vjeçarit. Ky i fundit i është përgjigjur duke i kërkuar të zbresë poshtë.

“Zbrit poshtë se ta tregoj unë”, ka thënë autori. Pasi janë takuar në sheshin poshtë pallatit, Mëneri e ka qëlluar me grushte në kokë, fytyrë dhe qafë Nikolinin dhe ka ikur nga vendi.

Ditën tjetër, pra ditën e djeshme 56-vjeçari Staka është gjetur i pajetë në banesën e tij. Sipas hetimeve dyshohet se ai ka ndërruar jetën nga hemorragjia.